Kryeshefi i kompanisë “Pastrimi”, Burim Kelmendi, ka thënë se vetëm në komunën e Prishtinës mblidhen 300 tonë mbeturina në ditë. Kelmendi ka treguar edhe për vështirësit me të cilat përballet kompania për shkak të borxheve të shumta.
Kësaj kompanie iu bllokuan llogaritë të martën për shkak të borxhit të madh, nga Kompania për Menaxhimin e Deponive. Mirëpo, me një marrëveshje gjatë ditës së djeshme, llogaritë u zhbllokuan dhe bërlloku filloi të mblidhej përsëri.
I ftuar në emisionin “SOT” të KTV-së, Kelmendi ka thënë se kanë marrë mbështetje të paktë nga qeveritë, pasi siç thotë ai, janë një kategori e lënë pas dore, madje edhe nga qytetarët, të cilët e lënë pagesën e bërllokut të fundit.
“Ne ia mbledhim bërllokun pa asnjë cent të gjitha familjeve me asistencë sociale në gjashtë komunat ku operojmë. Jemi të vetmit që e bëjmë këtë pa marrë asnjë cent në këmbim. Veç kjo kategori na kushton 600 mijë euro në vit. Asnjëherë Qeveria nuk ka dalë me na pyet se a na duhet ndihmë apo ndonjë subvencionim për këtë punë. Vetëm ne jemi ndarë nga subvencionimi gjatë pandemisë, edhe pse jemi kanë në detyrë”, ka thënë ai.
Kelmendi ka thënë se në rast se nuk rritet çmimi i faturave në 6 euro nga prilli, të gjithë kompanitë simotra do të falimentojnë.
Vetëm në janar, nga rreth 800 mijë euro sa duhej të inkasonin, “Pastrimi” ka marrë vetëm 300 mijë euro nga qytetarët dhe bizneset e tjera në gjashtë komuna ku operojnë.