Nagavci: Asnjë fëmijë nuk do të mbetet jashtë shkollës

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë që do t’u ofrohet mbështetje secilit fëmijë që ka nevojë dhe asnjëri nga ta nuk do të mbetet jashtë shkollës.

Nagavci përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se arsimi është një e drejtë e garantuar me konventa e ligje për të gjithë fëmijët pa dallim dhe ne “do të sigurohemi që të gjithë fëmijët në Kosovë të kenë çasje në edukim e arsim”.

Ajo ka bërë të ditur se sot ka kërkuar nga Drejtoritë Komunale të Arsimit në komuna që të sigurohen për themelimin/funksionalizimin e ekipeve vlerësuese pegadogjike për vlerësimin e fëmijëve me nevoja të veçanta.

“Mungesa apo jofunksionaliteti i ekipeve vlerësuese pedagogjike në komuna po i dëmton fëmijët me nevoja të veçanta, prindërit dhe shkollat pasi që nuk arrijmë të kemi të dhëna/informata të sakta për nxënësit me nevoja të veçanta, shkallën e funksionalitetit të tyre, nevojat që ata kanë për resurse dhe mbështetje pedagogjike. Si rezultat i kësaj ne kemi fëmije me nevoja të veçanta pa përkrahje, prindër të pakënaqur dhe shkolla që ballafaqohen në përditshmëri me mungesë të përkrahjes nga nivelet komunale për ta bërë punën e tyre më të lehtë dhe më profesionale”.

“Ekipet vlerësuese komunale janë mekanizma shumë të rëndësishëm për të vlerësuar dhe vendosur se cilët fëmijë me nevoja të veçanta kanë kosto të cilat vijnë si pasojë e aftësisë se kufizuar të fëmijës. Andaj në vitet në vazhdim mjete financiarë dhe burimoret njerëzore për këtë qëllim do të përfitojnë vetëm komunat të cilat nevojat për resurse dhe mjete financiare i përcaktojnë bazuar në vlerësimin dhe nevojat e identifikuara nga ky vlerësim”.

“MASHTI ka hartuar instrumentet e standardizuara për vlerësimin e fëmijëve me nevoja të veçanta. Instrumentet janë të bazuara në Klasifikimin Ndërkombëtar të Funksionalitetit për fëmije dhe të rinjë (ICF) dhe janë të dizajnuara që t’i përgjigjen të gjitha llojeve të aftësisë se kufizuar sipas qasjes bio-psiko-sociale, që nënkupton që e vlerësojnë fëmijën në të gjitha aspektet. Në mbështetje të funksionimit me të mirë të ekipeve vlerësuese janë hartuar edhe dokumentet tjera përcjellëse për inicimin dhe dokumentimin e procesit të punës se ekipit vlerësues komunal. E gjithë pakoja me instrumente dhe dokumente përcjellëse është edhe në formën elektronike, për të lehtësuar dhe dokumentuar procesin e identifikimin, vlerësimit dhe përcjelljes së përparimit të fëmijëve me nevojat të veçanta, që janë në sistemin arsimor”, ka shkruar ajo.