MZhR-ja dhe Komuna bashkëfinancojnë ndërtimin e stacionit të autobusëve në Podujevë

Ministria e Zhvillimit Rajonal dhe Komuna e Podujevës kanë rënë dakord që ta bashkëfinancojnë ndërtimin e Stacionit të Autobusëve në këtë qytet.

Kjo është bërë e ditur pas një takimi që ka pasur Ministri Fikrim Damka me kryetarin e Podujevës, Shpejtim Bulliqi.

“Po dalim nga një takim i përbashkët me ministrin Damka. Është një Ministri me të cilën kemi pas një bashkëpunim të mirë edhe në vitin e kaluar. Edhe këtë vit do të na ndihmojnë si Ministri. Ajo për të cilën folëm me ministrin është stacioni i autobusëve të cilën pritet ta fillojmë këtë vit”, ka thënë ai.

E Ministri Damka ka thënë se pos stacionit do të ndihmojnë edhe në ndërtimin e tregut të gjelbër në këtë komunë.

“Kemi ra dakord bashkë me Komunën të bashkëfinancojmë në një projekt të madh për të mirën e qytetarëve të Podujevës siç është stacioni i autobusëve. Vitin e kaluar i kemi pas disa projekte në ndërtimin e disa ura dhe do të vazhdojmë me ato ura që kanë mbetur nga viti i kaluar. Pas të ndërtojmë stadiumin e autobusëve do të ndihmojmë edhe në ndërtimin e tregut të gjelbër”, është shprehur Damka.