Kurtit e Osmanit do t’ju arrijë një letër për ta ndalur retorikën antidemokratike ndaj mediave

Sekretari i Federatës Evropiane të Gazetarëve njofton se, bashkë me organizatat e tjera ndërkombëtare, do t’i çojnë letër kryeministrit Albin Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani për të ndalur retorikën antidemokratike ndaj gazetarëve. Sulmet e burrit të presidentes ndaj mediave, ai i quan ‘trampiste’.

Organizatat ndërkombëtare të gazetarëve janë të shqetësuara dhe kanë dënuar gjuhën e Zotëriut të Parë, Prindon Sadriut, i cili i quajti mediat “ndërmarrje të përbashkëta kriminale”.

Ricardo Gutierrez, sekretar i EFJ-së, pasi ka reaguar ndaj Sadriut, ka thënë se përfaqësuesit ndërkombëtarë të mediave dhe gazetarëve do t’i shkruajnë letër presidentes dhe kryeministrit të Kosovës.

“Jam i shokuar me komentet ‘trampiste’ të z. Sadriu. Bashkë me një numër organizatash ndërkombëtare, ne do t’ia dërgojmë një letër zyrtare Kryeministrit dhe Presidentes së Republikës. Ata kanë përgjegjësi që të ndalin këtë retorikë antidemokratike”, ka shkruar Gutierrez në një koment në faqen e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës.

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, është prej liderëve botëror që ka sulmuar vazhdimisht mediat dhe gazetarët që s’i pëlqenin dhe ishin kritike ndaj tij. Qasja e njëjtë e të tjerëve ndaj mediave, nga përfaqësues të mediave ka marrë emrin “Trumpizëm”.

Përveç EFJ-së, ndaj komenteve të Sadriut ka reaguar edhe Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve (IFJ). Këtyre reagimeve u ka paraprirë AGK-ja.

Komentet e Sadriut u bënë, pasi ai ishte nervozuar me mediat, disa prej të cilave raportuan për shpenzimet e gruas së tij, sa ishte deputete e Kuvendit, në vitet 2011-2014. Shpenzimet i kishte publikuar vetë Kuvendi dhe aty pasqyroheshin kompensimet për udhëtim që u ishin bërë deputetëve që kishin deklaruar se jetojnë jashtë Prishtinës.

Pas reagimeve të shumta, Sadriu e fshiu statusin e mëparshëm në Facebook dhe doli me një postim të ri. Aty nuk kërkonte falje për gjuhen, por tha se nuk e kishte me të gjitha mediat, duke i ndarë ato në profesionale dhe joprofesionale.

Zotëriu i parë mban edhe detyra të tjera publike. Ai është diplomat, aktualisht udhëheqës i misionit diplomatik të Kosovës në Maqedoni dhe rezervist në Forcën e Sigurisë së Kosovës.