Droga që u kap mbrëmë nga Policia e Kosovës në Konushefc të Podujevës, me peshë 91 kg, dyshohet se ka origjinë nga Shqipëria dhe destinacioni i saj ishte për në Bashkimin Europian (BE).
Policia në konferencë për media ka dhënë detaje për këtë aksion të titulluar ‘Kamera’.
“Droga dyshohet se ka origjinë nga Shqipëria dhe ka kaluar përmes Prizrenit në Podujevë. Ka pasur destinim final vendet e BE-së”, tha policia në konferencë.
Përveç 91 kg drogë të llojit marihuanë, në Konushefc janë konfiskuar edhe një veturë Audi me targa të Gjermanisë, një veturë Glof 4 me targa të Austrisë, dy vetura tjera dhe para me vlerë mbi 650 euro.
Lidhur me rastin është arrestuar një i dyshuar, ndërsa në kërkim janë edhe tre të tjerë.
Më poshtë keni pamjet e drogës së konfiskuar.