Autoritetet në Kosovë të mërkurën pezulluan restaurimin e një shtëpie të vjetër të lidhur me një zyrtar shqiptar, i cili ishte një bashkëpunëtor famëkeq i nazistëve gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Projekti, i financuar nga Bashkimi Evropian dhe Ministria e Kulturës e Kosovës, ishte bërë cak i kritikave nga Gjermania, ka shkruar media prestigjioze “Associated Press” për shtëpinë e Xhafer Devës.
Ambasadori gjerman në Prishtinë, Joern Rohde, tha se ishte i shqetësuar për planin për rinovimin e shtëpisë, njofton Klan Kosova.
“Asnjë zbardhje e historisë. Mos e shtrembëroni të vërtetën për Holokaustin ose krimet e luftës të kryera nga nazistët dhe bashkëpunëtorët vendas!”, shkroi Rohde në Tëitter.
Viola von Cramon, një ligjvënëse e Parlamentit Evropian nga Gjermania, tha gjithashtu se projekti e shqetësoi atë personalisht dhe ngriti shumë shqetësime.
Por, autoritetet në Kosovë thanë se nuk kishin asnjë qëllim që ta injoronin të kaluarën.
“Qëllimi i vetëm i restaurimit të kësaj godine është t’i shërbejë komunitetit dhe jo të zbardhet historia apo të rehabilitohet ndonjë personalitet historik apo ngjarje historike”, tha ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku.
Shtëpia, e vendosur 40 kilometra në veri të kryeqytetit të Kosovës në qytetin e Mitrovicës, ishte në pronësi të familjes së ministrit të brendshëm shqiptar Xhafer Deva gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Deva u akuzua për bashkëpunim me Gjermaninë naziste kur ajo pushtoi Kosovën dhe Shqipërinë dhe për orkestrimin e një masakre antikomuniste që vrau 86 njerëz në Shqipëri në vitin 1944.
Banesa është përdorur si zyre ndër vite dhe është rrënuar. Projekti i rinovimit kishte për qëllim ta shndërronte atë në një hapësirë ngjarjesh dhe një qendër rajonale për të promovuar dialogun ndërkulturor dhe tolerancën.
Një anëtar i komunitetit hebre në Prishtinë, Flori Zevi, mbështeti restaurimin, duke thënë se ai mbështet planin e autoriteteve të Kosovës për ta kthyer ndërtesën në një Shtëpi të Paqes për të gjitha komunitetet.
Ai tha se një pjesë e ndërtesës duhet të bëhet muze që tregon historinë e hebrenjve të Mitrovicës gjatë luftës.
Të paktën 100 prej tyre u dërguan nga Mitrovica në Serbi, ku u vranë nga nazistët, përfundon shkrimi i AP.