Ambasada e Çekisë në Kosovë ka shpërndarë një deklaratë të ministri të Jashtëm të tyre, Jan Lipavský për sulmet ndaj mediave. Deklarata e tij vjen në kohën ku gazetarë në Kosovë u linçuan nga Prindon Sadriu që është bashkëshoriti i presidentes, Vjosa Osmani.
Jan Lipavský, ka treguar se Anëtarët e Koalicionit për Lirinë e Medias kanë mbajtur Konferencën e Tretë Globale për Lirinë e Medias ku është thënë se sulmet ndaj lirisë së medias po rriten në mbarë botën.
“Sulmet ndaj lirisë së medias po rriten në mbarë botën. Gjatë një takimi ministror me kolegë nga 50 anëtarë, ne ripërtërijmë angazhimin tonë për të mbështetur lirinë e medias dhe mbrojtjen e gazetarëve.”, ka shkruar ai në Twitter.
Në këtë takim është diskutuar për sfidat e shumta të gazetarëve në mbarë botën si dhe rolin e rëndësishëm që kanë mediat.
Ndërkohë, në Kosovë, sulmet dhe linçimet ndaj mediave janë rritur në shkallë më të gjerë. Rasti i fundit i linçimit dhe gjuhës denigruese ndaj mediave erdhi nga Zotëriu i Pari i shtetit, Prindon Sadriu që është bashkëshorit i presidentes Vjosa Osmani.
Sadriu i quajti mediat ‘ndërmarrje e përbashkët kriminale’, deklaratë kjo që ngjalli shumë reagime në komunitetin e gazetarëve në Kosovë, por edhe më gjerë.