Tarifat e reja të energjisë elektrike që janë miratuar dje nga Zyra e Rregullatorit për Energji, do të hyjnë në fuqi nga sot. Këto tarifa do të aplikohen deri më 31 mars të vitit të ardhshëm.
Me miratimin e këtyre tarifave, konsumatorët që shpenzojnë mbi 800 kWh energji do të përballen me shtrenjtim të energjisë.
Këta konsumatorë do të duhet të paguajnë 5.9 centë për tarifën e ultë dhe 12.52 centë për tarifën e lartë.
Ata që do të shpenzojnë energji elektrike deri në 800 kWH nuk do të faturohen me çmimin e ri, derisa ata që e kalojnë 800 kWh, me çmimin e ri do t’iu llogaritet vetëm sasia e harxhuar mbi këtë vlerë.
“Tarifat me pakicë të energjisë elektrike për konsumatorët jo familjarë, në kuadër të Shërbimit Universal do të mbesin të njëjta si vitin e kaluar. Tarifat për konsumatorët familjarë, për nivelin e konsumit deri në 800 kWh në muaj, do të mbesin të njëjta, ndërsa diferenca e konsumit mbi 800 kWh për muaj, do të faturohet me tarifën e ulët (gjatë natës) prej 5.9 cent dhe tarifën e lartë (gjatë ditës) prej 12.52 cent. Tarifat e reja do të hyjnë në fuqi me datë 9 shkurt 2022 dhe do të aplikohen deri më 31 mars 2023”, ka njoftuar ZRRE’ja.
Vendimi i ZRRE-së për shtrenjtimin e rrymës, sipas kërkesës së LVV-së dhe ministres Rizvanolli
Të njëjtin propozim sikur ky që e miratoi ZRrE e kishte edhe Ministria e Ekonomisë dhe Lëvizja Vetëvendosje.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli në komentet dërguar ZRrE-së propozonte që zgjerimin e brezit tarifor në 800 kilovat nga 600 kilovat që ishte propozuar më parë nga ZRrE.
Propozim tjetër i ME-së ishte shtimi i blloqeve tarifore dhe përcaktimin e një tarife më të ulët sesa ajo e propozuar aktualisht për konsumin deri në 1,000kWh.
“Zgjerimi i brezit tarifor, përkatësisht ndryshimin e pragut të bllokut nga 600kWh në 800kWh, duke pasur në konsideratë efektivitetin e këtij mekanizimi në kushtet e mungesës së alternativave tjera të sigurimit të energjisë elektrike për nevoja të ngrohjes nga një pjesë e konsumatorëve; ose Shtimin e numrit të blloqeve tarifore, që do të mundësonte përshkallëzimin e tarifave nëpër blloqe dhe përcaktimin e një tarife më të ulët sesa ajo e propozuar aktualisht për konsumin deri në 1,000kWh”, ka qenë propozimi i Rizvanollit.
Ndërkaq Grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), i pati propozuar Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) që blloku i parë tarifor deri në 800 kilovat, mos të ketë shtrenjtim të energjisë elektrike.
Mimoza Kusari – Lila, shefe grupit parlamentar të LVV-së, në një konferencë për media patri deklaruar se grupi i dytë i konsumatorëve që shpenzojnë nga 800 deri në 1 mijë e 400 të kenë një rritje që do të përcaktohet edhe në bazë të subvencionimit të qeverisë.
“Blloku i parë tarifor deri në 800 kilovat për orë, i cili mbulohet nga prodhimi i KEK-ut të mos ketë shtrenjtim të rrymës. Këtu përfshihet edhe subvencionimi i Qeverisë. Ky bllok tarifor përbën 63% të amvisërive në gjithë territorin e Kosovës. Blloku i dytë tarifor nga 800 deri 1400 kilovat të ketë një rritje e cila do të përcaktohet në bazë të subvencioni i Qeverisë dhe llogaritjet e ZRRE-së dhe përfshinë mbi 23% të amvisërive. Më propozimin tonë, dy të tretat e amvisërive kursehen. Blloku i tretë tarifor që do të përfshinte konsumatorët që shpenzojnë mbi 1400 kilovat”, u shpreh deputetja e LVV-së në një konferencë për media.
Si do t’ju llogaritet konsumatorëve fatura e muajit shkurt?
Nga ZRRE’ja dhe KEDS’i e kanë konfirmuar për Gazetën Express se me tarifat e reja do të llogaritet vetëm energjia e shpenzuar nga sot e tutje.
“Tarifat e reja hyjnë në fuqi nga data 9 shkurt 2022 dhe do të jenë të zbatueshme deri me 31 mars 2023”, ka deklaruar Petrit Pepaj i ZRRE’së.
Kalkulatori përmes së cilit mund ta llogarisni sa do t’ju vijë fatura
Zyra e Rregullatorit për Energji ka publikuar dje edhe një kalkulator, përmes së cilit ju mund të informoheni se sa do t’ju vijë fatura në fund të muajit.