Doli nga partia e Fatmir Limajt, bëhet këshilltar i Përparim Ramës!

Biznesmeni politikan, Bekim Brestovci i është bashkuar ekipit të Përparim Ramës, rreth tri javë ditë pas dorëheqjes nga Nisma Socialdemokrate.

Brestovci, i cili i dha fund angazhimit të tij në subjektin politik të Fatmir Limajt në fund të vitit të kaluar, ka njoftuar se tash e tutje do të shërbejë si këshilltar për Investime Kapitale në kabinetin e kryetarit të Komunës së Prishtinës.

Ish-zëvendësministri i Diasporës në qeverisjen e PDK-AAK-Nisma më 2019, ka kaluar në ekipin e Përparim Ramës pasi udhëhoqi Degën e Nismës Socialdemokrate në Prishtinë gjatë zgjedhjeve të tetorit, 2021.

“Me kënaqesinë më të madhe bëj të ditur që tanimë jam pjesë e kabinetit të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, në funksionin e këshilltarit për investime kapitale, investimet e huaja, zhvillimin e turizmit në zonat rurale si dhe avansimin e sherbimeve publike”, njoftoi Brestovci, përmes një shkrimi në Facebook të martën mbrëma.

Ai u shpreh i lumtur me besimin e pranuar nga kryetari Rama. Tha se do të angazhohet për realizimin e projekteve të premtuara nga kreu i ri i kryeqytetit gjatë fushatës zgjedhore.

Sipas deklarimit të pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsion në vitin 2019, Brestovci figuron të ketë pasuri milionëshe. Ai është aksionar në disa kompani private në Gjermani, bazuar në deklarimin e vitit 2019.