Në mjediset e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të Administratës Publike, e cila është sponzorizuesi i Projektligjit për Pagat, sot, e mërkurë, më 9 shkurt 2022, Grupi Punues për hartimin e Projektligjit për Pagat zhvilloi punimet rreth përgatitjes së tekstit të Projektligjit për Pagat.
BSPK paraqiti vërejtjet paraprake juridike dhe gjuhësore në tekstin fillestar të Projektligjit për Paga, të cilat u morën parasysh nga Sponzorizuesi i Projektligjit për Pagat.
Vërejtjet e BSPK-së kryesisht kishin të bëjnë me qartësimin e tekstit të projektligjit dhe qëndrueshmërinë juridike e kuptueshmërinë gjuhësore të versionit në gjuhën shqipe dhe të versioneve të tjera (anglisht e serbisht).
Përfaqësuesit e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të Administratës Publike u zotuan që brenda javës së ardhshme të paraqesin para Grupit Punues versionin fillestar të shtojcave të cilat janë tejet të rëndësishme për qartësimin juridik të Projektligjit për Pagat.
Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës në Grupin Punues merr pjesë përfaqësuesit e vet, dhe është tejzotuar që të përkujdeset që Projektligji për Pagat të përgatitet asisoj që kjo fushë e rëndësishme – fusha e pagave – të rregullohet asisoj që të ketë qëndrueshmëri juridike dhe kuptueshmëri gjuhësore.
Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës pret dhe zotohet që të përmbyllet shpejt dhe drejt teksti përfundimtar i Projektligjit për Pagat i cili më tej do t’i paraqitet për miratim Kuvendit të Republikës së Kosovës.