Arrihet marrëveshja, kompania “Pastrimi” nis grumbullimin e mbeturinave

Pas arritjes se një marrëveshjeje me Kompaninë për Menaxhimin e Deponive, Kompania Rajonale “Pastrimi” ka filluar grumbullimin e mbeturinave në rajonin e Prishtinës, në orët e pasdites.

Sipas kryeshefit ekzekutiv, Burim Kelmendi, ata kanë arritur një marrëveshje që për dy muaj të kthejnë borxhin prej 300 mijë eurove.

“Pas arritjes së marrëveshjes, punëtorët e kompanisë pastrimi kanë dalë në terren dhe po bëjnë mbledhjen e mbeturinave në qendër dhe në pikat tjera. Marrëveshja është që të kthehet borxhi brenda dy muajve”, ka thënë Kelmendi.

Sipas tij është e domosdoshme rritja e çmimit të faturimit në 6 euro, në mënyrë që të mund vazhdohet ekzistenca e “Pastrimit”.

“Edhe nëse arrijmë të paguajmë këtë borxh brenda këtij afati kohor, duhet rritur çmimi i faturimit në 6 euro. Nëse nuk bëhet, ekzistenca e kompanisë është në rrezik”, ka thënë ai më tej.

Për shkak të borxhit, gjatë ditës së djeshme Kompania për Menaxhimin e Deponive i kishte bllokuar llogaritë “Pastrimit”.