Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka njoftuar se do të nisë restaurimi i shtëpisë së Xhafer Devës në Mitrovicë.
E ndaj këtij vendimi të ministrisë ka reaguar ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde i cili ka thënë se është kundër restaurimit të këtij objekti.
“Kjo kulturë e kujtesës është duke u bërë në mënyrën e gabuar!”, ka shkruar Rohde në Twitter.
Gjermania ka shprehur shqetësimin e saj në lidhje me përdorimin e figurave që kanë pasur lidhje me nazizmin.
“Jam shumë i shqetësuar për planet në lidhje me restaurimin e shtëpisë së Xhafer Devës, që ishte një bashkëpunëtor/protagonist i njohur nazist i divizionit famëkeq SS Skënderbeg. S’ka pastrim të historisë! Mos e shtrembëroni të vërtetën në lidhje me Holokaustin ose krimet e luftës të kryera nga nazistët dhe bashkëpunëtorët vendas”, ka shkruar ambasadori gjerman.
Në këtë çështje është përfshirë edhe ish-ministri i MPJ-së, Behgjet Pacolli.
Pacolli ka thënë se shtëpia e Xhafer Devës duhet të vlerësohet nga historianët e jo nga ata që nuk flasin kurrë për krimet e komunizmit ndaj shqiptarëve.
“Xhafer Deva duhet të vlerësohet nga historianët, jo nga ata që nuk flasin kurrë për krimet e komunizmit ndaj shqiptarëve si masakra e Tivarit, vrasja e Shaban Polluzhës dhe spastrimi etnik në Kosovën e pas vitit 1945. Deva sulmohet nga narrativa serbe, e cila nuk është e Kosovës”, ka shkruar Pacolli në Twitter.
Shtëpia e Xhafer Devës llogaritet të jetë ndërtuar në vitin 1930 në qendër të vjetër të qytetit nga arkitektë dhe punëtorë austriakë.
Restaurimi është planifikuar në kuadër të programit “Trashëgimia kulturore si nxitës për dialogun ndër-komunitar dhe kohezionin social”, i cili bashkëfinancohet nga Zyra e Instrumenti për Stabilitet dhe Paqe i BE-së dhe, Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, dhe zbatohet nga UNDP.