Ngritet aktakuzë për dy presona për falsifikim të parave

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve B.D., dhe S.H., të cilët gjenden në paraburgim për shkak të dyshimit të bazuar se të njëjtit kanë kryer veprën penale “Falsifikimi i parasë” nga neni 296 paragrafi 2, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Sipas aktakuzës, nga prilli i vitit 2021 në Prizren, i akuzuari S.H., në kioskën e tij së bashku me të akuzuarin B.D., në bashkëkryerje, marrin, blejnë, vënë në qarkullim, pranojnë apo posedojnë para të falsifikuara, me qëllim të vënies së tyre në qarkullim, në atë mënyrë që i pandehuri S.H., blen nga i akuzuari B.D., 2000-1000-200-400-200 euro, gjithsej 3800 euro – monedha të metalta nga 2 euro të falsifikuara, dhe për këtë shumë B.D., ia ka dhënë-paguar 1600-800-160-320-160 euro, gjithsej 3040 euro kartëmonedha në origjinal. I akuzuari S.H., monedhat metalike të falsifikuara prej 2 euro i vë në qarkullim, ashtu që blen mall për kioskë, cigare, pije si dhe kryen pagesa të tjera.

Po ashtu, në këtë periudhë kohore i akuzuari B.D., u shet edhe personave të tjerë monedha metalike të falsifikuara nga 2 euro në këmbim të kartëmonedhave origjinal duke i zbritur 20% nga shuma e ofruar.

Me këto veprime, të pandehurit B.D., dhe S.H., kanë përmbushur elementet e veprës penale “Falsifikimi i parasë” sipas KPRK-së.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartëcekur për veprën penale për të cilën akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.