Deputeti milioner i LVV-së që mori 630 euro nga buxheti i shtetit për naftë

Është ky deputeti i LVV-së, Gramos Agusholli, i cili sipas deklarimit të pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit, në vitin 2021 është milioner, e pasuria e tij e kap vlerën afro 2 milionë euro. E megjithatë ai ka marrë 630 euro nga buxheti i shtetit për derivate.

Agusholli i cili me vendbanim qëndron në Pejë, ka një veturë që kushton hiq më pak se 50 mijë euro, e tipit AUDI A8L.

Përveç kësaj në bazë të deklarimit të pasurisë, deputeti i LVV-së nuk duket të ketë shumë nevojë për paratë e derivateve që i mori nga buxheti i shtetit. Kjo sepse ai posedon pasuri të paluajtshme 1 milion e 405 mijë euro, derisa pasuri të luajtshme ka 55 mijë euro, të cilat të gjitha i ka deklaruar si pasuri të përbashkëta.

Në pasurinë e tij përfshihen 6 banesa, 2 shtëpi, 2 objekte afariste dhe një lokal afarist, tokë në Pejë, dy vetura dhe dy garazha me tre podrume. E megjithatë për shpenzimet e veturës së tij luksoze për të ardhur në seancat e Kuvendit, deputeti mori 630 euro nga buxheti i shtetit.

E pas shumë reagimeve në drejtim të tij, Agusholli përmes një statusi në llogarinë e tij tha se ai udhëton nga Peja për në Prishtinë ekskluzivisht vetëm për seancat e Kuvendit të Kosovës dhe se momentalisht nuk ka asnjë punë tjetër në kryeqytete pasi të gjitha bizneset e tij i ka në Pejë, shkruan Gazeta Infokus.

“Unë jetoj në Pejë, dhe për çdo seancë ose angazhim në Komision udhëtoj. Ama bash për secilën. Edhe në këtë pjesë kam qenë korrekt. Nëse votuesit e mi janë ndjerë të ofenduar, unë kërkoj ndjesë, sepse angazhimi im në politikë nuk është për ndonjë përfitim ose keqpërdorim të parasë publike. Të paktën ata që më njohin nga afër e dinë këtë gjë”, ka thënë ai.

Derisa vetëm pas reagimeve të shumta që veçanërisht u bënë për partinë në pushtet e cila premtoj ndalje të zhvatjes së buxhetit të shtetit me të cilat premtime edhe erdhi në pushtet, Agusholli paratë e marra për naftë i dhuroi për bamirësi.