Komediania dhe aktorja, Awkwafina, e ka postuar një deklaratë të gjatë në Twitter, ku iu adresua kritikave që ia janë bërë në media dhe në rrjetet social për përdorimin e gjuhës apo aksentit të afrikano-amerikanëve përgjatë karrierës së saj.
Ylli aziatiko-amerikan i lindur në Queens, emri i vërtetë i së cilës është Nora Lum, shpjegoi pikëpamjen e saj për dinamikën racore.
“Prejardhja ime emigrante më lejoi ta gdhendja një identitet amerikan nga filmat dhe shfaqjet televizive që i shikoja, fëmijët me të cilët shoqërohesha në shkollën publike të cilën e kam ndjekur dhe dashuria dhe respekti im i pavdekshëm për hip hopin. Mendoj se si grup, aziatiko-amerikanët janë ende duke u përpjekur të kuptojnë se çfarë do të thotë ky rrugëtim për ta, çfarë është e saktë dhe ku nuk bëjnë pjesë. Megjithëse jam ende duke mësuar dhe punuar në këtë drejtim edhe personalisht, e di me siguri se dua ta kaloj pjesën tjetër të karrierës sime duke i ngritur dhe nderuar komunitetet tona. Ne e bëjmë këtë së pari duke dështuar, mësuar, pranuar, dëgjuar dhe duke pasur empati për njëri-tjetrin. Dhe unë do të vazhdoj, pa u lodhur, ta bëj pikërisht këtë”, deklaroi ndër të tjera aktorja.
Deklarata e aktores e përfaqëson reagimin e saj më domethënës nga kritikave që i ka marrë së fundmi, për përdorimin e sjelljeve, gjuhës dhe aksentit të afrikano-amerikanëve në jetën private dhe profesionale, përfshirë këtu disa prej roleve të fundit në filmat me buxhet të lartë si, “Crazy Rich Asians” dhe “Ocean’s Eight”.
Në disa postime tjera, Awkwafina tha se planifikon të largohet nga rrjeti social Twitter dhe kërkoi falje publike duke thënë: “Kërkoj falje nëse kam dështuar ndonjëherë me projektet e mia. Ju jeni gjithmonë në zemrën time. Sa për sqarim, po largohen nga Twitter por jo nga ndonjë gjë tjetër. Po ashtu nuk po veproj si frikacake dhe nuk po largohem ngase kam bërë ndonjë faj. Do të jem në dispozicionin e fansave në rrjetet tjera sociale, të cilat nuk të sugjerojnë ta vrasësh veten për një veprim të pamenduar mirë dhe pa qëllime të këqija”.
Kritikat për aktoren dhe reagimi i saj ndaj tyre, janë gjerësisht pjesë e debatit gjithnjë në zhvillim rreth përvetësimit kulturor, ose aktit të adoptimit të zakoneve nga një kulturë tjetër pa nivelin e duhur të respektit ose njohurisë.
33-vjeçarja Awkwafina, ka arritur sukses të jashtëzakonshëm vetëve të fundit. Ajo e fitoi një çmim “Globi i Artë” në kategorinë “Aktorja më e mirë” për rolin e saj në filmin e vitit 2019 “The Farewell”, dhe vitin e kaluar iu bashkua Universit Kinematik Marvel me rolin në filmin “Shang-Chi and the Legend of the Ten Rings”.