Më herët, Themelorja kishte hedhur poshtë aktakuzën për Aliun dhe pesë zyrtarë të tjerë për kohën sa ishin zyrtarë të Komunës së Prishtinës. Rasti ka të bëjë me lagjen “Prishtina e Re”.
“Departamenti i Krimeve të Rënda i Gjykatës së Apelit të Kosovës, pas shqyrtimit të të gjitha shkresave të lëndës dhe vlerësimit të pretendimeve ankimore, ka vendosur që të refuzojë si të pabazuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ndërsa është vërtetuar aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, i datës 23.08.2021. Me aktvendimin e lartcekur të Gjykatës Themelore në Prishtinë, janë aprovuar kërkesat për hedhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave të paraqitura nga ana e mbrojtësve të të pandehurve dhe ndaj të pandehurve L.A., A.O., Z.R., N.K., B.U. dhe M.B.P., është hedhur aktakuza si dhe është pushuar procedura penale”, thuhet në njoftimin e Apelit të hënën.
Të pandehurit kanë qenë të akuzuar për shkak të veprave penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit” dhe “mosekzekutimi i vendimeve gjyqësore”.
Ministri Aliu ka dalë për herë të parë para Gjykatës më 6 prill 2021. KOHA asokohe kishte siguruar aktakuzën ndaj tij dhe të tjerëve.