Me shpërthimin e skandalit të naftës për deputetët, Lëvizja Vetëvendosje – partia që udhëheq shtetin, sot që nga orët e mëngjesit ka bërë përpjekje që të arsyetohet para popullit, duke qenë se 6 prej deputetëve të saj, ishin në listën e shpenzimeve marramendëse të harxhimit të naftës për vetëm dy muaj. Të paktën, kështu u interpretua në publik e në media. Por, a ishte gjithë kjo hallakamë për naftën, edhe një shenjë për deputetët e Vetëvendosjes që shpërdoruan paratë për udhëtime? Njëherësh, duke shkelur edhe në premtimin e madh të vet liderit të tyre Albin Kurti: luftimin e shpërdorimit të parasë publike.
Shefja e deputetëve të Vetëvendosjes, znj.Mimoza Kusari-Lila, në njoftimin e sotëm që e quante sqarim, ka treguar kronologjinë e rregullit që jepte naftë për deputetët që udhëtojnë (kompenzim shpenzimesh) e cila datonte nga viti 2011 kur kryetar i Kuvendit ishte zoti Jakup Krasniqi.
Në të njëjtin njoftim/sqarim, znj.Kusari, duke folur në emrin e deputetëve të Vetëvendosjes, njoftoi se ata të gjithë do të heqin dorë vullnetarisht nga kompenzimi i udhëtimeve.
Te fjala ‘vullnetarisht’, lind pyetja që mund të duket tingëllojë disi naive, por vjen natyrshëm: Pse nuk hoqën dorë ‘vullnetarisht’ deputetët e Vetëvendosjes para se të shpërthente ky skandal?
“Deputetët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! tërhiqen nga kompenzimi për shpenzimet e udhëtimet, si dhe ushtrojnë kërkesë te Kryesia e Kuvendit për rishikimin e vendimit për kompenzimin e deputetëve”, njoftoi më vonë Vetëvendosja rreshtin e njëjtë që shkroi edhe shefja e deputetëve, znj.Kusari.
Deputetët e Vetëvendosjes që kanë reaguar për skandalin e naftës, janë vetëm të apostrofuarit për shpenzimin e parasë publike në udhëtime, derisa të tjerë, kryesisht kanë heshtur – përfshirë një numër të vogël që reaguan dhe folën për llogaridhënie.
“Lëvizja VETËVENDOSJE! prej që ekziston ka kërkuar që pagat e deputetëve të zvogëlohen pasi që nuk korrespondojnë me nivelin e përgjithshëm të pagave në vend dhe krijojnë hendek mes të përfaqësuarit dhe përfaqësuesit”, thuhet në njoftimin e Vetëvendosjes.
Ky paragraf, duket si një lloj shfajësimi për opinionin publik (popullin siç ka qejf ta quajë Vetëvendosje), por njëherësh, tingëllon një mesazh i qartë për të gjithë deputetët e kësaj partie, që shkelën premtimin e madh të liderit partiak Kurti: që me të në krye të qeverisë, do të ndalet shpërdorimi i parasë publike.
Partia në pushtet, duket e hatërmbetur me deputetët e saj, që shkelën parimet e partisë, që prej kur ‘ajo ekziston’.
Paragrafi i fundit i VV-së, flet për ‘shtetin e shoqërinë që ndërtohet mbi rregulla e norma’, e jo mbi përcaktime individuale”.
A ishte përcaktim individual vendimi i Jakup Krasniqit më 2011? Apo ishin ‘përcaktime individuale’ ato litra nafte të shtrenjta të 6 e më shumë deputetëve të partisë, të paguara me ‘djersën e popullit’?