Presidenti Agim Ademi ka vizituar sot komunën e Vushtrrisë, ku është pritur nga kryetari i ri i kësaj komune, Ferit Idrizi. Në këtë takim morën pjesë edhe anëtari i KE të FFK-së, Xhelal Broja, anëtarët e kryesisë së FC “Vushtrria” dhe përfaqësuesit e grupit të tifozëve “Forca”. Me këtë rast presidenti Ademi e përgëzoi z. Idrizi për zgjedhjen e tij në krye të kësaj komune, duke i shprehur gatishmërinë e bashkëpunimit. Gjatë këtij takimi Ademi e Idrizi u dakorduan që në kuadër të shënimit të 100-vjetorit të themelimit të klubit të futbollit, së bashku të kryhen disa investime, të cilat do ta përmirësojnë infrastrukturën e terreneve sportive dhe të krijojnë kushte më të mira për talentet e futbollit në Vushtrri. Kryetari i komunës së Vushtrrisë shprehu falënderimin e tij ndaj kreut të FFK-së për bashkëpunim dhe i uroi suksese në punën e tij të mëtejme.