Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) ka bërë të ditur se skitarja Kiana Kryeziu që ishte paraparë të mbante flamurin e Kosovës bashkë me skiatarin Albin Tahiri në ceremoninë hapëse të Lojërave Olimpike Dimërore Pekini 2022, nuk do të lejohet të marrë pjesë në ceremoni, pasi trajneri Agim Pupovci ka rezultuar pozitiv për COVID-19.
Sipas KOK-ut, gjendja shëndetësore e Pupovcit është e mirë dhe ai po ndjek rregullat e karantinimit, pavarësisht se testet e fundit janë negative.
“Albin Tahiri do ta bartë i vetëm flamurin e Kosovës në ceremoninë hapëse të Lojërave Olimpike Dimërore Pekini 2022. Skitarja tjetër, Kiana Kryeziu, që ishte paraparë të mbante flamurin bashkë me skitarin Tahiri, nuk do të lejohet të marrë pjesë në ceremoni, sikurse trajneri Agim Pupovci. Pupovci ka rezultuar pozitiv në njërin nga testet e përditshme për Covid 19 dhe përkundër se është asimptomatik dhe gjendja e tij shëndetësore është shumë e mirë, ai është duke ndjekur rregullat e karantinimit, edhe pse testet e fundit janë negative”, thuhet në njoftim.
Sipas organizatorëve, Kryeziu, është konsideruar si kontakt i mundshëm me persona tjerë, për çka nuk i lejohet të marrë pjesë në ceremoni, edhe pse është duke stërvitur dhe rezultuar negativ në testet për COVID-19.
“Krahas ekipit tonë Olimpik, shumë ekipe Olimpike do të jenë të përgjysmuara në ceremoninë hapëse shkaku i kontaktit te personave me personat tjerë. KOK ndjen keqardhje qe përkundër përpjekjeve të vazhdueshme për t’ia mundësuar Kianës dhe Agimit pjesëmarrjen, një gjë e tillë nuk ishte e mundur”, përfundon njoftimi.
Sot me fillim nga ora 12:30 do të zhvillohet ceremonia hapëse e Lojërave Olimpike Dimërore Pekini 2022.












