Tentoi të prodhojë para të falsifikuara, ngrihet aktakuzë ndaj të pandehurit në Prizren

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit L.B., për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale “Falsifikimi i parasë në tentativë”, nga neni 296 paragrafi 5-1 lidhur me nenin 28 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Sipas aktakuzës, i pandehuri L.B., në periudhën kohore prej tetorit të vitit 2019 deri më 20.01.2020 në shtëpinë e tij dhe në garazhë në fshatin Hoqë e Qytetit – Komuna e Prizrenit, tenton të prodhojë para të falsifikuara të valutës 50 dollarë amerikanë me qëllim që t’i vë në qarkullim si të vërteta, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Kjo me qëllimin që të përgatitë pajisjet si: fotokopje, printer, skaner, një makinë për ngjyrosjen dhe shtypjen e parave si dhe letrën A4 të cilësisë së lartë për printim, ku përmbajtja e këtij materiali të letrës e ka figurën dhe formën që gjendet në kartëmonedhën 50 dollarëshe, vijat identifikuese si dhe shiritin e sigurisë e ka të njëjtë, të një kualiteti të mirë për falsifikim.

“Në këtë mënyrë, i pandehuri i ka përgatitur që në një letër të formatit A4 të printohen 4×50 dollarë, ndërsa nëse merret numri i letrave që është 500 copë në një paketë, ajo arrijnë shumën rreth 100.000 dollarë në një paketë, dhe nëse merret numri prej 7 paketave të letrës të cilët janë konfiskuar dhe ishin përgatitur për printim kishin arritur shumën prej 700.000 dollarë kartëmonedha të falsifikuara”, thuhet në njoftim.

Me këto veprime, i pandehuri L.B., ka përmbushur elementet e veprës penale “Falsifikimi i parasë në tentativë” sipas KPRK-së.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartëcekur për veprën penale për të cilën akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.