Qeveria Kurti e bën anëtar të Bordit të Trepçës profesorin që akuzohej se shkoi në motel me studenten

Qeveria e Kosovës ka emëruar anëtarët e rinj të Bordit Mbikëqyrës të Trepçës. Pjesë e këtij Bordi del të jetë edhe profesor i biznesit në Universitetin e Pejës “Haxhi Zeka”, Ibrahim Krasniqi, i cili në vitin 2019 ishte para përjashtuar nga ky fakultet për shkak se kishte shkuar në motel me një studente…

Ibrahim Krasniqi nga dje është përzgjedhur si anëtar i Bordit të Trepçës, por para tri viteve, Krasniqi ishte para përjashtuar nga Fakulteti i Pejës, “Haxhi Zeka”, për shkak se kishte shkuar në motel me një studente.

Asokohe, rasti ishte konfirmuar nga fakulteti të cilët kishin marrë masën e para përjashtimit pasi ishte vërtetuar se ka shkuar me një studente në motel.

Vendimin për para përjashtimin e tij e kishte marrë Komisioni i Etikës në Universitetin e Pejës.

Krasniqi, në tetor të vitit 2018, kishte pranuar se kishte shkuar me studenten në motel vetëm për të pirë kafe. Ai kishte thënë se kishte rënë pre e një organizimi kriminal brenda UPHZ’së.

Masën e ndëshkimit ndaj tij e pati konfirmuar edhe rektori i asaj kohe, Fadil Millaku.

“Profesori në fjalë është në para përjashtim. Kjo masë ndëshkuese i është shqiptuar rreth dy muaj më parë. Këshilli i Etikës e ka marrë vendimin dhe ai është në para përjashtim”, kishte thënë Millaku.

Në anën tjetër, Krasniqi kishte pohuar se ka shkuar në motel me studenten për të pirë kafe, por ai kishte thënë se ky ka qenë skenar i dikujt tjetër për ta eliminuar.

Profesori kishte treguar se posa ishin ulur të pijnë kafe në motel, një patrullë policore i kishte legjitimuar të gjithë mysafirët, të cilët ishin duke pirë kafe aty.

“Absolutisht jam i pafajshëm, as s’kam marrë kurrë një ftesë as prej hetuesisë, as prej prokurorisë. Me iniciativë teme kom kërku sqarim në Prokurorinë e Pejës. Dekani i atij fakulteti, kjo është publike se i kam shkru me dhjetëra imella për shkelje, abuzime, avancime jo të rregullta akademike. Duke u thirrë me një shkresë çohet edhe merr masa, thotë këtë punë duhet me çu në këshill të etikës. Mas prokurorisë kam shku në IPK, kam kërku mu inicu procedurë ndaj këtyre hetuesve që janë vënë në shërbim të grupeve të caktuara”, pati thënë profesori.

“Unë ta kisha ditë që është studente e “Haxhi Zekës” se kisha taku jashtë”, pati thënë ai.

“Jam viktimë, që s’kanë gjete kurgjo ku me u kap e kanë zgjedhë këtë mundësi thjesht mem eliminu”, kishte thënë ai.

Ndërkohë, Krasniqi vazhdon të jetë profesor në Fakultetin e Pjesë, e nga dita e djeshme do të jetë edhe anëtarë i Bordit të Trepçës.

Ndryshe anëtarë të tjerë të Bordit të Trepçës janë edhe Bahri Hyseni, kryesues, Muharrem Peci, anëtar, Bujar Bilalli, anëtar dhe Xhevdet Tahiri, anëtar.