Është ndërprerë seanca gjyqësore në rastin e njohur si “Afera e Hidrocentraleve”.
Një gjë e tillë ka ndodhur pasi që në Pallatin e Drejtësisë në Prishtinë është ndërprerë energjia elektrike.
Siç njofton “Betimi për Drejtësi” gjykatësi Valon Kurtaj tha se ishte paralajmëruar ndërprerja e energjisë elektrike.
Në këto rrethana, seanca e së enjtes u ndërpre për të vazhduar më 7 shkurt, me dëgjimin e dëshmitarit Edmond Nduelleshi.
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë sot pritet të vazhdojë shqyrtimi kryesor në rastin ku po akuzohen katër ish-ministrat e Qeverisë Thaçi 2, Besim Beqaj, Mimoza Kusari-Lila, Dardan Gashi dhe Nenad Rashiq. Bashkë me ta po akuzohen edhe Fllanza Hoxha e Arben Gjuka.
Ata po akuzohen nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) se kanë keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare, me rastin e privatizimit të distribucionit të shpërndarjes së Korporatës Energjetike të Kosovës.
Seanca e fundit në këtë ishte paraparë të mbahej më 17 dhjetor, por në mungesë të Mimoza Kusari-Lilës, ky gjykim kishte dështuar.