Kryetari i PDK-së Memli Krasniqi ka pritur sot në takim eurodeputetin austriak Lukas Mandl, nga i cili ka pranuar raportin për monitorimin e zgjedhjeve të fundit lokale në Kosovë.
Ai ka thënë se gjatë këtij takimi ka siguruar Mandl se PDK do të kontribuojë për të shtyrë përpara implementimin e rekomandimeve të dala nga raporti i monitorimit të zgjedhjeve nga misioni vëzhgues i Bashkimit Evropian.
“Mandl si kryevëzhgues, bashkë me ekipin tij, i falënderova për punën e jashtëzakonshme gjatë periudhës zgjedhore në vendin tonë. Më vjen mirë që Kosova vazhdon të jetë shembull i organizimit të zgjedhjeve në rajon dhe më gjerë. PDK do të jetë nxitëse e reformave të nevojshme në legjislacionin për zgjedhjet në Kosovë”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.