Kosova dhe Gjermania nënshkruajnë marrëveshje për projektin “Aftësitë në Tregun e Punës”

Implementimi për Projektin “Aftësitë për Tregun e Punës”, është nënshkruar nga ministri i Financave Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci me Drejtorin e GIZ-it në Kosovë, David Oberhuber.

Në kumtesën e Ministrisë së Financave, të enjten thuhet se projekti financohet nga Qeveria e Kosovës dhe Gjermania e që synon rritjen e numrit të të rinjve në tregun e punës.

“Përkatësisht, projekti ‘Fit for Jobs’ mbulon katër fusha kryesore, siç janë, orientimi sistematik në karrierë në sistemin arsimor të mesëm të ulët, promovimi i përfshirjes sistematike të sektorit privat në Arsim dhe Aftësim Profesional, zvogëlimi i hendekut në mes të arsimit profesional dhe kalimit në tregun e punës, si dhe orientimi në karrierë me anë të politikave dhe strategjive përkatëse. Në fushën e MFPT-së, bashkëpunimi synon angazhimin e praktikantëve në Agjencinë e Punësimit, angazhimin e trajnerëve sipas nevojave të Qendrave për Aftësim Profesional (QAP), zhvillimin e kapaciteteve të QAP-ave, si dhe implementimin e skemës së kuponëve të trajnimeve për punëkërkuesit”, thuhet në njoftim.

Hekuran Murati, ministër i Financave, ka vlerësuar lartë bashkëpunimin në mes të palëve duke u shprehur se bashkëpunimi i ngushtë me Qeverinë Gjermane është shumë i rëndësishëm në mënyrë që bashkërisht të krijojnë perspektiva më të mira përmes një pjesëmarrje aktive në tregun e punës në vend.

Palët u zotuan që të vazhdojnë bashkëpunimin ndërmjet dy qeverive në arritjen e qëllimeve për përmirësimin e jetës së qytetarëve të Kosovës.