Viti nisi me rritje të aksidenteve/ 158 tragjedi rrugore me 17 të vdekur

Teksa muaji shkurt nisi me ngjarjen tragjike në aksin Elbasan-Librazhd, shifrat zyrtare tregojnë se edhe janari u mbyll me një bilanc të rënduar sa i takon aksidenteve rrugore.

Për muajin e parë të 2022 u regjistruan 158 aksidente, me 184 të plagosur dhe 17 të vdekur. Aksidenti më i rëndë gjatë muajit të kaluar ishte sërish në Elbasan, ku humbi jetën një grua 50-vjeçare.

Drejtuesi i mjetit që shkaktoi aksidentin u largua, por u kap pak minuta më pas nga policia.

Për sa i përket të njëjtës periudhë të vitit të kaluar, kemi rritje të numrit të aksidenteve dhe të plagosurve, por fatmirësisht më pak viktima.

Gjatë janarit të 2021 u regjistruan 125 aksidente, me 143 të plagosur dhe 22 të vdekur.

Ndërsa bilanci i vitit 2021 tregon një rritje të aksidenteve. Sipas të dhënave të bëra publike nga Instituti i Statistikave, gjatë vitit që shkoi ndodhën 1.376 aksidente me 1860 të plagosur dhe 197 të vdekur.