Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë kundër të dyshuarit L.K., në cilësi të personit zyrtar, për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.
Sipas aktakuzës, në periudhën kohore nga data 14.12.2018 e deri më 12.02.2020, i pandehuri L.K., duke punuar si person zyrtar në Komunën e Prizrenit – drejtor i Drejtorisë për Shërbime Publike, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin e tij zyrtar, me dashje nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare me qëllim që t’i mundësojë dobi pasurore personit tjetër.
Në një komunikatë për media thuhet se i njëjti ka lëshuar urdhëresa për realizimin e punimeve sipas pozicioneve ku çmimet kanë qenë më të larta, duke tejkaluar edhe porositë për këto pozicione mbi 30% të kontratës
“O pandehuri L.K., nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare me qëllim që t’i mundësojë dobi pasurore personit tjetër, në rastin konkret dy operatorëve ekonomik, në atë mënyrë që me rastin e hartimit të paramasave të pozicioneve – artikujve, ka ndërhyrë, dhe ka ndryshuar paramasat, të cilat ia ka dërguar zyrtari për energjetikë në Drejtorinë e Shërbimeve Publike – dëshmitari S.T., dhe më pas në cilësinë e menaxherit të kontratës ndërmjet Komunës së Prizrenit dhe dy operatorëve ekonomik lidhur me zbatimin e tenderit ‘Ndërtimi i mini-parqeve, furnizimi dhe vendosja në hapësira publike të ulëseve, koshave të mbeturinave dhe ndriçim publik’ në Komunën e Prizrenit, në vlerë prej 289.124.00 euro, ka lëshuar urdhëresa për realizimin e punimeve sipas pozicioneve ku çmimet kanë qenë më të larta, duke tejkaluar edhe porositë për këto pozicione mbi 30% të kontratës, ndërsa në anën tjetër për pozicionet më të ulëta nuk ka kërkuar që këto pozicione të realizohen dhe në këtë mënyrë gjatë realizimit të kontratës i shkakton dëm autoritetit kontraktues – Komunës së Prizrenit në vlerë prej 103,148.34 euro e të cilat fakte janë vërtetuar përmes ekspertizës së prokurimit publik të datës 21.06.2021”, thuhet në komunikatë.
Me këto veprime, i pandehuri L.K., ka përmbushur elementet e veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” sipas KPRK-së.