JLo foli për dashurinë në intervistën ekskluzive për revistën “People”

Ylli i muzikës, filmit dhe modës, Jennifer Lopez, e ka dhënë një intervistë ekskluzive për revistën “People” me ç’rast ka folur për lumturinë, filmin e ardhshëm “Marry Me” dhe historinë e bukur të dashurisë me aktorin, Ben Affleck.

Këto vjetët e fundit, JLo ka mjaft shumë arsye për të qenë falënderuese dhe e lumtur.

Fillimisht, karriera e saj filmike dhe muzikore është në kulmin e suksesit, komedia e saj e re romantike, “Marry Me”, lansohet më 11 shkurt të këtij viti, fëmijët e saj 13-vjeçarë, Max dhe Emme, janë të lumtur dhe të shëndetshëm, kohëve të fundit ajo e ka gjetur një rehati dhe qetësi shpirtërore të cilën e ka ëndërruar gjithë jetën dhe po i shijon momentet më të lumtura me të dashurin e saj, Ben Affleck.

“Kurrë nuk kam qenë më mirë. Thjeshtë, që të gjithë gjendemi në një moment të bukur të jetës”, ka deklaruar 52-vjeçarja për revistën prestigjioze “People”.

Sigurisht, meritat për gjithë këtë lumturi i ka edhe i dashuri i saj Affleck.

“Po ndihem shumë fatlume, e lumtur dhe krenare që jam me të. Kjo është një histori e bukur e dashurisë dhe jemi me fat që lidhjes sonë iu dha një mundësi e dytë për të funksionuar”, tha Lopez, duke reflektuar mbi dashurinë e tyre.

Pasi çifti i cili fillimisht kishte qenë në lidhje nga viti 2002 deri më 2004, por i kishte dhënë fund fejesës pak javë para se të martoheshin, u ribashkuan në pranverë të vitit 2021. Lopez e pranoi se në fillim kishin paksa frikë ta bënë publik lajmin e ribashkimit, marrë parasysh vëmendjen mediale që e kishin marrë si çift para pothuajse 20 vjetësh. Por, kësaj radhe gjërat janë më ndryshe mes tyre dhe që të dy po ndihen më të sigurt në këtë lidhje.

“Tani jemi më të moshuar, më të mençur, kemi më shumë eksperiencë dhe gjendemi në periudha tjera të jetës. Kemi fëmijë të rritur dhe duhet të tregohemi shumë të kujdesshëm dhe të vëmendshëm për ta. Që të dy e ruajmë shumë raportin tonë dhe familjet tona, ngase të gjithë jemi duke përjetuar momente të bukura të jetës. Thjeshtë ndihem e lumtur dhe me fat që jam në një lidhje të këtillë ku mbizotëron gëzimi dhe dashuria, dhe dua ta bëjë të pamundurën për ta mbajtur këtë raport tonin sa më të sigurt. E meritojmë vërtetë dhe e konsiderojmë lidhjen tonë shumë të shenjtë”.

Derisa ajo pajtohet se përfshirja e fëmijëve në një lidhje të re mund të jetë delikate, Lopez tha: “Unë sinqerisht besoj se dashuria zotëron mbi të gjitha. Dashuria gjithmonë fiton. Gjithçka ka të bëjë me faktin se sa i dashur, i afërt dhe i hapur di të jesh. Duhet të mos kesh ego dhe thjeshtë t’i pranosh gjërat e mira dhe të mendosh gjithmonë me pozitivitet. Kur je në një lidhje të mirë dhe të shëndetshme, të gjithë përfitojnë nga kjo. Përfshirë këtu edhe fëmijët”.

Duke qenë një partner i dashur dhe respektues, 49-vjeçari Ben Affleck Affleck, me kohë ka bërë një punë të vështirë emocionale për ta përmirësuar veten dhe për të qenë i gatshëm për një raport të shëndosh dashurie.

“Jam shumë krenare me të, jam krenare me burrin që është bërë dhe të cilin e kam ndjekur me vëmendje edhe prej së largu. Të qenët të sinqertë me njëri-tjetrin, të dashur dhe të kujdesshëm, kjo është baza e një lidhjeje të suksesshme. Thjeshtë është kënaqësi ta shohë personin, njeriun dhe babanë dhe partnerin që është sot. Ai është shndërruar në burrin që gjithmonë e kam ditur se ishte dhe kam dashur të jetë”, deklaroi ylli i showbizit.

Përrallat në jetën reale mund të jenë të komplikuara, por Lopez thotë se ende e lejon veten të besoj në dashuri të përjetshme.

“Ajo që mund t’ua mësoj fëmijëve të mi është se dashuria e vërtetë ekziston. Disa gjëra mund të zgjasin përgjithmonë, por kjo nuk do të thotë se jeta nuk përcjellët me ngritje dhe ulje”.

Sa i përket të ardhmes me Affleckun, Jennifer deklaroi: “Thjeshtë dua që e ardhmja ime të jetë e mbushur me dashur dhe gëzime, bashkë me fëmijët e mia dhe partnerin. Mendoj se të gjithë vetëm duan të jenë të lumtur me dikë, që ta kalojnë jetën dhe të plaken së bashku. Për momentin po ndihem mirë për të ardhmen time”.

 

Në filmin e ardhshëm, “Marry Me”, JLo e portretizon rolin e superyllit muzikor të quajtur Kat Lopez, e cila e merr vendimin më të çmendur në jetën e saj kur pranon të martohet me një mësues të matematikës në takimin e tyre të parë. E shkatërruar dhe turpëruar nga tradhtia që i fejuari i saj ia bënë në natën e martesës, e cila ishte planifikuar të transmetohej live, Kat vendos ta pranojë propozimin për martesë nga një shikues në publik, i cili në film portretizohet nga Owen Wilson. Por, gjërat nuk janë ashtu siç duken dhe çiftin e ri e presin shumë sfida dhe momente qesharake. Krejt papritur mes Katit dhe Charliet lind një romancë e bukur, dhe tani ata duhet ta bëjnë të pamundurën që të mos i lënë personat e tjerë që t’i ndajnë ata. Por, a do të mund t’i mbijetojnë ata këtij presioni dhe faktit se ata vijnë nga botë krejtësisht të ndryshme?

Përveç si aktore, Lopez në këtë projekt e ka rolin edhe të producentes. Pjesë e kastës është edhe ylli latin i muzikës, Maluma.

“Marry Me” lansohet nëpër kinematë botërore nga 11 shkurti i këtij viti.

Përktheu: Edona Binaku