Christian Eriksen do të vazhdojë karrierën në Premier League, kampionat ku ka luajtur më parë me Tottenham (2013-2020). Mesfushori danez ishte në bisedime prej kohësh me Brentford.
Zyrtarizimi ka ardhur pak çaste më parë, falë një video të postuar nga klubi ishullor në Twitter. 29-vjeçari, i cili ndërpreu bashkëpunimin me Interin më 17 dhjetor, ka firmosur një kontratë 6-mujore me Brentford.
Në akord do të përfshihet edhe opsioni i zgjatjes së bashkëpunimit deri në verën e vitit 2023, gjithmonë nëse Eriksen paraqitet mirë. Lojtari ofensiv pësoi një arrest kardiak në sfidën e dytë të Euro 2020, atë mes Danimarkës dhe Finlandës.
Mesfushori ka vendosur defibrilator në zemër dhe gjatë kësaj periudhe ka kryer kontrolle të shumta. Doktorët kanë dhënë miratimin e tyre dhe Eriksen është gati të rikthehet në fushë për të ndihmuar ekipin e ri për të qëndruar në Premier League dhe për t’u rikthyer në kombëtare.
“Jam i lumtur t’iu lajmëroj se kam firmosur me Brentford. Mezi po pres të filloj këtë aventurë, shihemi së shpejti“, deklaron Eriksen në videon e postuar nga klubi i elitës së futbollit anglez.