Partia Socialdemokrate ka dorëzuar komentet e saj në ZRrE në lidhje me propozimin e saj për shtrenjtimin e energjisë elektrike. Gjithashtu, kryetari i kësaj partie, Dardan Molliqaj paralajmëroi një takim me të gjitha partitë opozitare parlamentare dhe jo parlamentare, përfshirë edhe shoqëritë civile, për bashkërenduar aktivitetet për të kundërshtuar ngritjen e çmimit të energjisë.
Molliqaj: Takim të përbashkët me partitë opozitare parlamentare
“Gjatë kësaj jave do ta ftojmë një takim të përbashkët të partive opozitare parlamentare dhe jashtëparlamentare, të shoqërisë civile ose të organizatave të shoqërisë civile, të cilat kanë interesim për çështjen dhe që janë marrë me çështjen, dhe po ashtu individë apo persona publikë që janë njohës të fushës, apo që kanë shpreh interesim për këtë çështje. Ky takim ka për qëllim diskutimin e organizimit të përbashkët të rezistencës ose të kundërshtimit të kësaj qeverie sa i përket çështjes së energjisë. Pra do të jetë takim organizativ, konsultativ, bashkëpunues, që të jemi bashkë me të gjithë ata që pajtohen që kjo që po bën qeveria është edhe e dëmshme edhe e padrejtë”, deklaroi Molliqaj.
Përkundër këtij takimi, Molliqaj shtoi se do të vazhdojnë me tubime dhe me aksione simbolike për të kundërshtuar propozimet për ngritje të çmimit.
Molliqaj: Do të vazhdojmë me tubimet dhe aksionet
“Në të njëjtën kohë Partia Socialdemokrate do t’i vazhdojë tubimet, do t’i vazhdojë takimet, aksionet simbolike derisa ky vendim të ndërrojë rrënjësisht dhe në të njëjtën kohë nga sot do të hapim edhe një peticion online që të gjithë ata që janë të pakënaqur me vendimin e qeverisë për çështjen e energjisë elektrike, të shprehen të nënshkruhen të bëhen pjesë online për shkak të situatës në të cilën gjendemi, dhe rrjedhimisht këto janë disa prej aktiviteteve të cilat tashmë këto do të nisin këtë javë por nuk do të ndalen derisa të ndalet qeveria”, tha ai.
I pyetur nëse ka ftesë paraqitjeje në stacion policor pas goditjes që i bëri zyrtarit policor, Molliqaj tha se nuk është i informuar për këtë gjë.
Molliqaj: Nuk më ka ftuar askush nga policia
“Mua nuk më ka ftuar askush, unë kam qenë në shtëpinë time tërë ditën dje, nga shtëpia ka ardhur në zyrë, mirëpo nuk më ka ftuar askush, nuk ka qenë askush tek banesa ime, policia i ka të dhënat edhe të banesës edhe të shtëpisë, edhe të telefonit. Kjo është më shumë luftë politike pra më së pari po e qesin një video në media dhe po nis procedura ndaj meje dhe pastaj po bëhet një presion publik thua se unë jam diku tjetër, unë jam në shtëpi erdha këtu, pra kuptojeni se mbrapa një akti të gabuar nga ana ime ka një organizim politik dhe policor kundër nesh”, tha ai.