Partia Demokratike e Kosovës ka bërë të ditur se nuk ka dërguar komente në Zyrën e Rregullatorit për Energji lidhur me raportin vlerësues për ngritjen e tarifave të energjisë elektrike.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se ata nuk dërguan komente pasi ato i kanë bërë publike në vazhdimësi.
“Ne konsiderojmë se përtej komenteve formale, ZRRE në vendimin e saj duhet të marrë për bazë të gjitha diskutimet publike, qëndrimet politike dhe disponimin qytetar në lidhje me kërkesën për ngritje të çmimit të energjisë elektrike”.
“Si parti politike, në vazhdimësi kemi paralajmëruar se do të ketë krizë energjetike në Kosovë dhe në paraqitjet publike kemi shprehur qëndrimin tonë kundër rritjes së çmimit të energjisë. Për këtë kemi ftuar edhe seancë të jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës, ku i kemi dhënë edhe propozimet tona, si dhe kemi ofruar argumente profesionale përgjatë diskutimeve në Komisionin parlamentar për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti”,ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Ai ka thënë se është keq që propozimi i ZRrE-së nuk i përfshin fare komunat në veri të vendit.
“Kjo ndarje është e paligjshme dhe e padrejtë ndaj qytetarëve të tjerë të Republikës së Kosovës. Përtej kësaj, ky është një rrezik që avancon tendencat autonomiste në veriun e vendit. Qeveria e Kosovës ka përgjegjësi për çdo vendim në lidhje me përcaktimin e çmimit të energjisë elektrike që do ta marrë ZRRE dhe çfarëdo arsyetimi është vetëm në funksion të ikjes nga kjo përgjegjësi që e kanë. PDK do ta kundërshtojë çfarëdo vendimi për rritje të çmimit të energjisë në këtë fazë, duke i shfrytëzuar të gjitha instrumentet ligjore në dispozicion”, ka shkruar Krasniqi.