Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere ka miratuar Programin e Shpenzimeve të Radio Televizionit të Kosovës për periudhën janar-mars 2022 në shumën 2 milionë e 240 mijë euro.
Për shkak të gjendjes në RTK, kryetari i Komisionit Armend Muja, ka thënë se cshtë miratuar projeksioni i shpenzimeve të RTK-së për tremujorin e parë të këtij viti.
Ndërkohë, sipas Mujës, të mërkurën e ardhshme do të diskutohet në këtë komision projeksioni i përgjithshëm për të gjithë vitin 2022 dhe raporti për vitin 2021.
Para Komisionit, sot ka raportuar kryetari i Bordit të RTK-së, Besnik Boletini, i cili ka thënë se projeksioni buxhetor për vitin 2022 është 8 milionë e 960 mijë euro, përkundër që në projeksionin e parë ishin 11 milionë e 960 mijë euro.
“Kështu që ne si bord kemi kërkuar menjëherë të bëhen shkurtimet buxhetore, të bëhet buxheti me paratë që i kemi në dispozicion, sepse përndryshe rrezikonim për t’u futur në borxh 2 milionë e 400 mijë euro. Pastaj, kemi insistuar te projeksioni për t’i bërë komente dhe disa rekomandime për me i hequr disa shpenzime, me i shtua linja të reja brenda këtyre mundësive buxhetore që i kemi pasur”, ka thënë ai.