OVK-ja kërkon të përfillen rekomandimet e tyre për trajtimin e qenve endacak

Rekomandimet e Odës së Veterinerëve të Kosovës duhet të merren më shumë parasysh kur është fjala për çështjen e trajtimit të qenve endacak.

Kjo kërkesë ka dalë nga OVK në një tryezë të organizuar nga komuna e Prishtinës me përfaqësuesit e BE-së, organizata joqeveritare dhe akterë të tjerë profesionalë të fushës mbi strategjinë kornizë për trajtimin e qenve endacakë.

Duke vlerësuar organizimin e këtij takimi mbi një çështje e cila ka nxitur së fundmi reagime të mëdha lidhur me rrezikun nga qentë endacak në kryeqendrën e Kosovës e që është mjaft shqetësues, kryetari i OVK-së, Xhevdet Krasniqi, përgëzoi kryetarin e komunës Përparim Rama në përmbushjen e një premtimi të dhënë se, në mënyrë profesionale do t’i qaset problemeve.

Krasniqi tha se, sa i përket kësaj teme, ne si OVK kemi qenë të kyçur përveç në ligj edhe në ngritjen profesionale të veterinerëve, të cilët morën pjesë aktive në trajtimin e qenve endacak.

Ai tha se, OVK ka ekspertë të mjaftueshëm që të veprojnë në tërë territorin e Kosovës.