Ky ligj parasheh përçarje brenda Lëvizjes Vetëvendosje

Çështja e shtrenjtimit të rrymës nuk do të jetë sfida e vetme këtë fillimvit për Qeverinë Kurti. Një nga sfidat e radhës pritet të jetë tema e “nxehtë”, ligji që lejon martesat e sekseve të njëjta në Kosovë.

Burime të Indeksonline bëjnë të ditur se ky ligj është në fazën fillestare dhe procedurale, por që do të kryhet gjatë këtij viti.

Këtë e ka konfirmuar edhe ministria e Drejtësisë në një përgjigje për Indeksonline.

Në njoftimin e MD-së jepen detaje për Kodin Civil i cili është dorëzuar dhe aprovuar në Qeveri në mbledhjen e fundit të vitit 2021.

Ministria e Drejtësisë bën të ditur se me Kodin Civil aktual nuk lejohet martesa e sekseve të njëjta.

“Ministria e Drejtësisë, ka hartuar dhe finalizuar Projekt Kodin Civil të Republikës së Kosovës, i cili me datë 29.12.2021 është aprovuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Tani është në procedurat e shqyrtimit në Kuvend.

Projekt Kodi Civil është hartuar nga ekspertë vendor dhe ndërkombëtar, të cilit i kanë paraprirë një proces i gjerë konsultimesh me institucionet relevante si dhe konsultime me publikun përfshirë edhe organizatat e shoqërisë civile.

Gjithashtu, MD në bashkëpunim me projektin e BE-së që ka mbështetur hartimin dhe finalizimin e Projekt Kodit Civil, ka organizuar një sërë kampanjash vetëdijësuese që ndërlidhen me Projekt Kodin Civil.

Prandaj, ne, konsiderojmë se procesi i hartimit dhe finalizimit të Projekt Kodit Civil, ka qenë gjithëpërfshirës dhe transparent, i hartuar në linjë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe direktivat e Bashkimit Evropian.

Në rrjedhë të kësaj, neni 1138 i Projekt Kodit Civil, dispozitat lidhur me Martesën, përcaktojnë si në vijim:

‘’1. Martesa është bashkësi e regjistruar ligjërisht ndërmjet dy bashkëshortëve të sekseve të ndryshme, me anë të së cilës ata lirshëm vendosin që të jetojnë së bashku si burrë e grua. Martesa është bashkësi jetësore e vazhdueshme e burrit dhe gruas, ligjërisht e rregulluar. Martesa lidhet me dhënien e pëlqimit të burrit dhe gruas dhe nënshkrimin e tyre para zyrtarit të gjendjes civile.

  1. Bashkësitë e regjistruara civile ndërmjet personave me sekse të njëjta janë të lejuara. Kushtet dhe procedura rregullohen me ligj të veçantë.
  2. Bashkëshortët kanë të drejtë të lidhin martesë dhe të formojnë familje pa ndonjë kufizim në bazë të racës, kombësisë apo religjionit, si dhe janë të barabartë gjatë lidhjes së martesës, vazhdimit të martesës dhe zgjidhjes së saj.
  3. Të martuarit dhe partnerët në bashkësi civile gëzojnë të drejta dhe detyra reciproke në bazë të këtij Kodi.’’

Siç shihet në paragrafin 1 të këtij neni, Projekt Kodi Civil i Republikës së Kosovës ka arritur të ruaj identitetin tradicional të martesës në Kosovë mes burrit dhe gruas.

Pra me hyrjen në fuqi të Kodit Civil, martesa është e lejuar vetëm ndërmjet burrit dhe gruas” thuhet në sqarimin e MD-së, dhënë për Indeksonline.

Por, ministria e udhëhequr nga Albulena Haxhiu ka konfirmuar për Indeksonline projektin për lejimin e marteseve me sekse të njëjta, martesa të cilat do të lejohen me një ligj të veçantë.

“Megjithatë, me qëllim që hartimi i Projekt Kodit Civil të Kosovës të jetë në përputhje dhe në frymën e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, paragrafi 2 i nenit 1138 të Projekt Kodit Civil, ka paraparë që bashkësitë e regjistruara civile ndërmjet personave me sekse të njëjta janë të lejuara, por që kushtet dhe procedura e tyre do të rregullohen me ligj të veçantë.

Lidhur me këtë Ministria e Drejtësisë në kuadër të Planit Strategjik Operacional, pjesa e MD për vitin 2022 ka paraparë hartimin e Koncept Dokumentit për bashkësitë civile të regjistruara, ky aktivitet është paraparë që të përfundohet brenda vitit 2022, në të cilin do të diskutohet për detajet dhe modalitetit e zbatimit të projekt dispozitës së lartëpërmendur” thuhet në përgjigjen e MD-së, për Indeksonline.

Sipas ministrisë së Drejtësisë, miratimi i këtij ligji është ndjekje e praktikave të vendeve të tjera të rajonit.

“Projekt Kodi Civil i Kosovës përkitazi me këtë çështje ka ndjekur praktikat e vendeve të tjera si të Sllovenisë, Hungarisë dhe Malit të Zi” thuhet në njoftimin e MD-së.

Burime të Indeksonline bëjnë të ditur se miratimi i këtij ligji do të “dhezë” disa deputetë të partisë në pushtet, Vetëvendosjes.

Indeksonline mëson se së paku pesë deputetë të Vetëvendosjes janë kundër votimit të këtij ligji dhe janë të vendosur që mos të votojnë një ligj të tillë në Kuvend.

Mbetet të shihet se si do ta menaxhojë këtë “temë të nxehtë” Qeveria Kurti dhe nëse do të ketë përkrahjen e opozitës për lejimin e martesave të së njëjtës gjini.