Albin Kurti në vitin 2014: Kur të qeverisim ne do të lirohen buka, sheqeri, qumështi e vaji

Kryeministri i tanishëm, Albin Kurti në një paraqitje televizive në Kohavision në vitin 2014 kishte shpalosur detajet e programit qeverisës të Lëvizjes Vetëvendosje, ku kishte thënë se me ardhjen e partisë së tij në qeverisje, çmimet e produkteve elementare ushqimore si buka, sheqeri, qumështi dhe vaji do të ulen konsiderueshëm, ndërsa lluksi do të shtrenjtohej.

Në këtë intervistë Kurti asokohe thoshte që produktet të cilat janë nevojë elementare do t’iu heqet TVSH’ja, ndërsa ‘lluksit’ do t’i rritej TVSH’ja.

“TVSH bëhet zero për gjërat elementare ushqimore. Buka me Lëvizjen Vetëvendosje në qeverisje nga 36 cent, që është mesatarja për çmimet e muajit shkurt për vitin 2014, bëhet 31 cent. Sheqeri nga 72 cent kilogrami bëhet 62 cent. Qumështi nga 91 cent mesatarisht bëhet në 78 cent. Vaji nga 1 euro e 23 cent, bëhet në 1 euro 6 cent. Sepse ne duam që nevojave elementare t’ua heqim TVSH-në dhe t’i lirojmë, ndërsa lluksi që i korrespodon regjistrit të dëshirave, të shtrenjtohet”, deklaronte Kurti.

Ndërsa, sipas Agjencinë të Statistikave të Kosovës (ASK), aktualisht çmimet e produkteve bazë në Kosovë janë rritur tejmase. Çmimi për një bukë ka shkuar në 50 cent, ndërsa edhe produktet e tjera si vaji, sheqeri e mielli janë rritur.

Nga ASK në raportin e publikuar për vitin 2021 kanë treguar se çmimet për shumë produkte janë ngritur këtë vit krahasuar me vitin 2020.

“Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te nëngrupet e COICOP-it: bukë dhe drithëra (1.5%); mish (1.9%); qumësht, djathë dhe vezë (7.7%); vajra dhe yndyrëra ushqimore (28.2%); perime (19.7%); sheqer, reçel, mjaltë, çokollatë dhe ëmbëlsira (2.1%); pijet alkoolike (3.8%); duhan (2.7%); mirëmbajtje dhe rregullim i vendbanimit (2.3%); gaz (10.6%); lëndë djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. (4.6%); mobilie dhe orendi, qilima dhe mbulesa të tjera dyshemeje (2.6%); pajisje shtëpiake (4.0%); veglat dhe pajisjet për shtëpi dhe kopsht (2.9%); blerje e automjeteve (1.5%); pjesë këmbimi dhe pajisje shtesë për pajisjet e transportit personal (2.2%); karburantet dhe lubrifikantë për pajisjet e transportit personal (26.7%); mirëmbajtje dhe riparim i pajisjeve personale të transportit (5.0%); shërbime të tjera në lidhje me pajisjet personale të transportit (9.9%); shërbime për transport (2.2%)-(ngritje e çmimeve të biletave të transportit ajror), shërbime telefonike dhe të telefaksit (20.3%); pajisjet audio-vizuale, fotografike për përpunimin e informative (2.7%); pushime të organizuara turistike (8.9%); shërbime hoteliere (2.3%); kujdes personal (1.2%); shërbime financiare (6.0%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 4.9 për qind në IHÇK-it”, është bërë e ditur nga ASK.