Komuna e Prishtinës merr vendim për trajtimin e qenve endacakë

Komuna e Prishtinës, përmes një komunikate për media, ka bërë të ditur se më 18 janar 2022 është bërë nënshkrimi i kontratës për trajtimin e qenve endacakë për vitin 2022.

Tutje, ai ka njoftuar se ka filluar zbatimi i kësaj kontrate që nga fillimi i kësaj jave, me ç’rast është trajtuar një numër i konsiderueshëm i qenve endacakë të koncentruar në ose përreth parkut të Gërmisë.

Kjo kontratë u siguron vazhdimin e trajtimit të tyre, duke përfshirë kapjen, sterilizimin vaksinimin dhe lëshimin (metoda KSVL), por edhe kontrollin, ushqimin, identifikimin dhe hospitalizimin e qenve.

Në këtë komunikatë është theksuar se Komuna e Prishtinës, në krye me kryetarin Rama, ka filluar koordinimin me të gjitha palët e interesuara, si vendore, ashtu edhe ndërkombëtare, për të filluar procesin e zgjidhjes përfundimtare dhe është zhvilluar një strategji e brendshme, e cila do të diskutohet me aktorët institucionalë, po ashtu edhe me organizatat joqeveritare dhe individët e organizatat profesionale, në mënyrë që strategjia të jetë e pranueshme për të gjithë.

“Janë iniciuar procedurat e hapjes se një qendre për trajtimin e qenve. Kjo qendër do të ofrojë shërbime për trajtimin jo vetëm të qenve endacakë, por gjithashtu edhe kujdesin, trajnimin, socializimin e qenve me pronarë”, thuhet tutje.

Po ashtu Komuna e Prishtinës ka njoftuar se të premten, më 28 janar, duke filluar nga ora 09:30, organizon tryezë të rrumbullakët me përfaqësuesit e BE-së, organizata joqeveritare, si dhe aktorë të tjerë profesionalë të fushës mbi strategjinë kornizë për trajtimin e qenve endacakë.