Anëtarët e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë sot janë takuar me kolegët e tyre nga komisioni përkatës i Shqipërisë të cilët kanë nisur një vizitë zyrtare në Kosovë.
Pas këtij takimi të mbyllur për media, kryetarët e të dy komisioneve shprehën vullnetin për bashkëpunim dhe shkëmbim të përvojave në të mirë të rritjes së sigurisë për të dyja vendet.
Kryetarja e këtij komisioni, Ganimete Musliu u shpreh se përmes këtij takimi dëshmohet edhe një herë afrimi dhe bashkëpunimi mes të dyja komisioneve. Musliu u shpreh se duke qenë të dyja shtetet e sigurta do ketë mundësi për zhvillim ekonomik dhe rritje të investimeve.
“Takimi jonë i përbashkët kishte për qëllim që edhe njëherë ta dëshmojnë riafrimin e bashkëpunimit tonë me Komisionin parlamentar të Sigurisë Kombëtare të Shqipërisë. Edhe në të kaluarën të dy parlamentet kanë bashkëpunuar ngushtë njëra me tjetrën por edhe tani është më se e nevojshme dhe e domosdoshme që ne të bashkëpunojmë që të sigurojmë një qeverisje të mirë në të dyja shtetet që të kemi respektim të të drejtave të njeriut dhe po ashtu mbi të gjitha kemi nevojë që të shkëmbejmë përvojat mes dy shteteve duke pasur parasysh që Shqipëria ka përvoja më të gjata sesa shteti ynë, por besoj që me punën dhe angazhimin tonë që e kemi bërë brenda Kosovës duke përforcuar kontrollin demokratik të institucioneve të vendit besoj që edhe ne mund të jemi të japim shembuj konkret se si duhet që në të ardhmen të dy komisionet të bashkëpunimet që siguria e vendit të jetë në nivel. Kur kemi shtete të sigurta, kur siguria kombëtare është në nivel atëherë padyshim që do të kemi mundësi më të mëdha edhe të investimeve edhe të zhvillimit ekonomik dhe zhvillimit jetësor”, theksoi Musliu, raporton televisioni publik.
Ndërsa, homologu i saj, Nasip Naço, u shpreh se shkëmbimi i informacioneve në mes të Kosovës dhe Shqipërisë do ndikojë në rritjen e sigurisë për të dyja palët. Naço theksoi nevojën për ngritjen e bashkëpunimit mes të dyja komisioneve parlamentare.
“Ne shikojmë që të dyja vendet tona sa më të sigurta që të jenë duke shkëmbyer informacionet në të mirë dhe dobi të vendit tonë. Komisioni i Sigurisë Kombëtare ka një të veçantë ndryshe nga komisionet tjera parlamentare sepse ka të bëjë me shërbimet inteligjente jo pak raste në emër të zbatimit të ligjit sigurisht që cenojnë deri liritë dhe të drejtat themelore të njeriut dhe kjo ka qenë ajo barrikada që kemi dashur të vendosim midis zbatimit të ligjit dhe shkeljeve të drejtave të njeriut… Besoj që në ditët që do të vijnë bashkërisht do të japim dhe do marrim eksperienca nga njëri-tjetri që do të shërbejnë për të dy vendet tona”, u shpreh ai. Komisioni për Sigurinë Kombëtare të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë do të takohet sot edhe me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.