SHBA-ja: Kosova përcakton kushtet për organizimin e zgjedhjeve të huaja në territorin e saj

SHBA-ja ka bërë të ditur qëndrimin për të drejtat e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran për të përcaktuar kushtet me të cilat do të zhvillohen zgjedhjet e shteteve të tjera në territorin e saj.

Ambasadori i Misionit të SHBA-së në OSBE, Michael Carpenter, ka deklaruar sot se SHBA-ja ka qëndrim të qartë sa i përket kësaj çështje.

Në mbledhjen e Këshillit të Përhershëm të Ministrave të OSBE-së, ambasadori Carpenter, në lidhje me referendumin ka përkujtuar se “Shtetet e Bashkuara iu bashkuan partnerëve të saj evropianë duke u bërë thirrje të gjithë qytetarëve serbë që të marrin pjesë, pasi ne besojmë se është e rëndësishme që votuesit me të drejtë të votojnë në zgjedhje dhe referendume. Thënë kështu, le të jemi të qartë për qëndrimin e SHBA-së për të drejtat e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran për të përcaktuar kushtet me të cilat do të zhvillohen zgjedhjet e shteteve të tjera sovrane në territorin e saj”.

Carpenter ka theksuar se kanë shpresuar që Qeveria e Kosovës do të vazhdonte praktikën e mëhershme të lejimit të OSBE-së për të mbledhur votat edhe për referendumin e Serbisë të 16 janarit, mirëpo ai tha se ekzekutivi zgjodhi të mos e bënte këtë.

“Le të jemi të qartë për pozicionin e SHBA-së mbi të drejtat e Kosovës që si një shtet sovran dhe i pavarur të përcaktojë kushtet përmes të cilave zgjedhjet e shteteve të tjera të zhvillohen në territorin e saj. Ne shpresuam që Qeveria e Kosovës do të vazhdonte praktikën e mëhershme të lejimit të OSBE-së për të mbledhur fletëvotimet e votuesve me të drejtë vote që jetojnë në Kosovë, por ajo zgjodhi që të mos e bënte këtë”, ka thënë Carpenter.

Ambasadori Carpenter më tej u shpreh se mezi presin që të diskutojnë me Qeverinë e Kosovës dhe atë të Serbisë për aranzhimet dhe akomodimet që mund të bëhen për t’u siguruar që qytetarët të cilët përkatësisht banojnë në Kosovë dhe Serbi të jenë në gjendje të ushtrojnë të drejtën e tyre për të marrë pjesë në zgjedhjet e vendit të tyre.

“Ne besojmë se është për të ardhur keq që Kosova nuk është anëtare e këtij organi (OSBE) dhe për këtë arsye nuk është në gjendje të flasë vetë sot. Mezi presim ditën kur Kosova të jetë shtet pjesëmarrës i kësaj organizate dhe kjo mund të ndodhë. Ne vazhdojmë të inkurajojmë qeveritë e Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga veprimet dhe retorika që rrisin tensionet dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Është e rëndësishme që të dyja qeveritë të arrijnë përparim drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse që rrit stabilitetin rajonal”, tha ai.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës kundërshtoi mbajtjen e referendumit kushtetues të Serbisë edhe në Kosovë, ndërsa Kuvendi miratoi një rezolutë kundër mbajtjes së këtij referendumi.