Pas stër diskutimit në Kuvend për mos miratimin e marrëveshjes financiare ndërkombëtare për reformimin e skemës sociale, ministri Hekuran Murati është deklaruar edhe në konferencë për media për këtë çështje.
Ministri i Punës, transfereve dhe Financave tha se është hera parë që në Kuvend rrëzohet një marrëveshje ndërkombëtare financiare.
“Kam thirr këtë konferencë që të njoftohemi saktësisht në seancën e sotme që për mua ishte një veprim i papritur për rrëzimin e marrëveshjes ndërkombëtare. Në të kaluarën ka pasur shumë raste kur marrëveshjet ndërkombëtare financiare janë shty, por jo të rrëzohet. Kjo shënon rastin e parë. Kishte pyetje në seancën, nuk ishte problemi që kishin mungesë të informacioneve, thanë që është hera parë që merren kredi për skema sociale, unë e shpjegova që edhe me herët ka pasur kësi lloj marrëveshje”.
Ky veprim sipas Muratit do të ndikojë në marrëdhëniet e Kosovës me bashkëpunëtorët e jashtëm.
“Pastaj u tha se gjoja ne i kemi kundërshtua marrëveshjet e ngjashme. Kjo është e pavërtetë. Në vitin 2020 kur na kishin rrëzuar nga Qeveria i kishin sjell marrëveshjet ndërkombëtare për kredi. Pikërisht unë si kryetar i komisionit që ta mbështesin marrëveshjet ndërkombëtare. Arsyetimi i tyre ishte se nuk ia vlen për shkak se po hyhet në kredi për ta asistuar reformën e asistencën sociale. Kjo nuk është sinjal i mirë me bashkëpunëtor tonë, sidomos me Bankën Botërore. Sot kam takim me Bankën që ta shohim se a mundemi ta përsërisim, që mos të na ikë mundësia”, u shpreh ai.
Gjatë seancës, Lidhja Demokratike e Kosovës tha se nuk është e pranueshme të aplikohet për kredi për të asistuar në pilotin e reformës të asistencës sociale.
Sipas marrëveshjes mes ministrisë dhe Bankës Botërore, parashihej që Kosova do të merrte 47 milionë euro kredi për skema sociale.