Deputetët e Kuvendit nuk e kanë shqyrtuar projektligjin për festat zyrtare në Kosovë. Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka kërkuar që të mos procedohet me këtë projektligj, meqë në këtë seancë kanë munguar përfaqësuesit e Listës Serbe.
Në vazhdimin e seancës plenare, kryetari i Kuvendit të Kosovës theksoi se ky projektligj është trajtuar për herën e tretë.
“Më duket po i rikthehemi për herë të tretë këtij projektligji për ndryshimin dhe plotësimin për Ligjin festat zyrtare në Republikën e Kosovës. Por, ky ligj e kërkon për shkak të
Kushtetutës një trajtim specifik edhe duke qenë komunitetet tjera në sallë, duke pas parasysh që përfaqësuesit serb nuk janë në seancë, atëherë nuk mund të procedojmë fare me këtë projektligj”, ka thënë ai.
Edhe shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi kërkoi që kjo pikë e rendit të ditës të hiqet.
“Të hiqet fare nga rendi i ditës dhe le të mbetet kurdo që krijohen kushtet në kryesi. Sepse në kryesi pak a shumë janë të përfaqësuara krejt grupet politike dhe grupet etnike dhe nëse jepen pëlqimin atëherë le të kalojë. Përndryshe të mos e përsëritëm më në kuvend”, ka kërkuar Gashi.
Deputeti nga IRDK, Fridon Lala tha se janë duke biseduar edhe me Listën Serbe por edhe duke shqyrtuar edhe mundësitë për krijimin e një grupi që të punojë për ndryshimin dhe plotësimin e këtij ligji.