Ministria e Infrastrukturës për RTV21: Të gjitha rrugët janë të qarkullueshme

Reshjet e borës që filluan gjatë mbrëmjes kanë vazhduar edhe mëngjesin e kësaj të premte, ku edhe ka mbuluar thuajse gjithë vendin. Por, Ministria e Mjedisit, Planifikimit hapësinor dhe Infrastrukturës për portalin rtv21.tv ka thënë se të gjitha rrugët e Kosovës janë të kalueshme.

“Pas reshjeve të fundit të borës, sipas informatave të siguruara nga terreni për mirëmbajtje verore dhe dimërore, gjendja e rrugëve në gjithë vendin është e mirë. Të gjitha rrugët në vendin tonë janë të qarkullueshme për komunikacionin e automjeteve”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.

Ministria ka bërë të ditur për portalin rtv21.tv se kompanitë e kontraktuara kanë intervenuar gjatë gjithë natës, me pastrim të borës dhe hudhje të kripës në të gjitha rrugët duke e rritur nivelin e sigurisë për qarkullim më të lehtë.

Tutje thuhet se në viset malore ka pas reshje të borës më shumë por rrugët janë të kalueshme, ndërsa kërkohet që të vozitet duke iu përshtatur kushteve atmosferike.

“Kompanitë gjatë ditës do të punojnë në përmirësimin e gjendjes së rrugëve për qarkullim sa më të sigurtë të automjeteve”, thuhet në përgjigjen e MI-së duke kërkuar nga qytetarët që jenë të kujdeshsëm gjatë vozitjës duke iu përshtatur kushteve të rrugëve.