Albin Kurtit nuk i dalin fjalët, blloku B2 ende jashtë funksionit

Derisa kriza energjetike në vend po vazhdon dhe është paralajmëruar edhe rritje e çmimit të energjisë, blloku B2 i termocentralit ‘Kosova B’ vazhdon të jetë ende jashtë funksionit. Kjo ani pse kryeministri i vendit, Albin Kurti dhe drejtori i Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi në një konferencë për media të vitit të kaluar kishin thënë se ky bllok do të kthehet në funksion me 20 janar.

E se ky bllok nuk ka filluar ende të jetë funskion, për Gazetën Infokus e ka konfirmuar, zëdhënësi i KEK-ut, Skënder Bucolli, i cili ka treguar se aktualisht KEK-u është duke operuar me vetëm 3 njësi dhe  prodhimi është 600 MW/h energji elektrike.

“Korporata Energjetike e Kosovës është duke operuar me 3 njësi prodhuese në TC-A  (A-3, A-4, dhe A-5) si dhe me një njësi të TC-B-së, pra me  B-1 me një kapacitet total prej 600 Mw/h energji elektrike”, ka thënë Bucolli.

Derisa në konferencën e 29 dhjetorit të vitit të kaluar, drejtori i KEK-ut, Nagip Krasniqi në një konferencë për media së bashku me kryeministrin Kurti deklaruan se dita e fundit kur ky bllok do të vihej sërish në funksion me 20 janar, madje paralajmëruan se kjo mund të ndodhte edhe më herët.

“Ne kemi dhënë një datë e cila presim që duhet të jetë datë e rikthimit të bllokut B2 në punë, ajo është 20 janari. Kjo nuk do të thotë se ne do të ngelemi në datën 20 pasi në vazhdimësi jemi duke u munduar që sa më herët të kthejmë në funksion këtë njësi”, kishte thënë Krasniqi në këtë konferencë.

Ndërsa dje, kryeministri Kurti në seancën e Kuvendit ku u diskutua për rritjen e çmimit të energjisë tha se Kosova aktualisht është duke paguar 2 milionë euro e gjysmë në ditë për import të energjisë elektrike, derisa nuk munguan edhe akuzat e zakonshme se fajtor për këtë gjendje janë qeveritë e kaluara.