Drejtori i përgjithshëm i RTK-së, Ngadhnjim Kastrati, është shkarkuar nga detyra

Drejtori i përgjithshëm i RTK-së, Ngadhnjim Kastrati, është shkarkuar nga detyra. Ai përmes një postimi  ka njoftuar se anëtarët e Bordit të RTK-së kanë marrë vendim për shkarkimin e tij nga pozita e drejtorit të Përgjithshëm në Radio Televizionin e Kosovës.

Që nga ardhja e anëtarëve të Bordit të ri të qeverisë Kurti, jam ballafaquar me shantazhe e presion të tyre për t’i larguar qindra punëtorë nga puna, në këmbim të vazhdimit të punës sime në këtë pozitë deri në fund të mandatit në prill 2022. Por unë ju kam thënë qartë anëtarëve politikë të këtij Bordi se unë nuk e largoj asnjë person nga puna. Arsyeja është e thjeshtë: Ata punojnë prej shumë vitesh dhe janë të nevojshëm, ndërsa me ato paga mbajnë familjet e tyre, e që është mjaft e vështirë ne këtë situatë të rëndë ekonomike.

Para disa ditësh, ky Bord, pavarësisht se kam qenë i sëmurë dhe në izolim, më ka kërkuar që t’ua dërgoj projeksionin buxhetor ku përfshihen edhe vendet e punës dhe ua kam dërguar të detajuara të gjitha dhe nuk kanë pasur asnjë vërejtje. Gjitha projeksionet buxhetore e programore ua kam dërguar pa e larguar asnjë punëtorë nga puna, edhe pse qeveria aktuale për këtë vit e ka zvogëluar buxhetin e RTK-së për më shumë se 2 milionë euro.