Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka prezantuar analizën “Konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme: problemet juridike të Projektligjit aktual”,.
Aty u tha se me këtë Projektligj shfaqen shumë paqartësi sa i përket udhëheqjes së drejtorit të kësaj Byroje dhe shkarkimit të tij nga ana e Kuvendit.
Gëzim Shala hulumtues i lartë në IKD, ka thënë se Qeveria e Kosovës më 29 dhjetor ka miratuar projektligjin për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
“Byroja udhëhiqet nga drejtori i përgjithshëm. Konform këtij Projektligji, drejtori i përgjithshëm është autoriteti kryesor për fillimin e verifikimit të pasurisë dhe fillimin e procedurave të konfiskimit. Problemi qëndron në atë se drejtori i përgjithshëm emërohet me shumicë të thjeshtë nga Kuvendi (me shumicën e votave të deputetëve të pranishëm dhe që votojnë), pas propozimit të Komisionit mbikëqyrës të Kuvendit. Pra, ndër autoritetet kryesore për të implementuar qëllimin e Projektligjit emërohet lehtësisht nga partitë në pushtet. Shto këtu që mandati i drejtorit ka garancione tejet minimale, ku i njëjti mund të shkarkohet mbi bazën e pa precizuar sa duhet të “dështimit në përmbushjen e mandatit ligjor”. Në rrethana të tilla, është e pamundur që Byroja të mund të cilësohet si institucion i pavarur dhe i paanshëm në ushtrimin e detyrave. Drejtori i përgjithshëm do varet tërësisht nga partitë në pushtet; përkatësisht, me ndërrimin e shumicës parlamentare në Kuvend, nën rregullimin aktual, do të ndërrojë edhe drejtori i përgjithshëm” ka theksuar Shala.
Për këtë, Shala ka thënë se në mënyrë që i gjithë procesi i verifikimit dhe konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme të mos varet qenësisht nga një individ, do duhej që organi drejtues i Byrosë të jetë kolegjial dhe me përbërje pluraliste.
E Jeton Hasani ka thënë se Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme nuk ka një standard adekuat të provimit në gjykatë, qoftë në masën e përkohshme apo në konfiskimin përfundimtar.
Një gjë të tillë Hasani e tha të martën, në konferencën për media ku është prezantuar analiza “Konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme: problemet juridike të projektligjit aktual”.
“Në rastet para se të paraqitet propozimi për konfiskim nga Byroja, siç duket gjykata mund të caktojë masën e përkohshme të sigurimit pa një prag adekuat të të provuarit. Përkatësisht, mjafton që të jetë i besueshëm pretendimi i Byrosë që po qe se nuk caktohet masa e përkohshme, pasuria mund të mos jetë më në dispozicion të subjektit. Por nuk kërkohet ndonjë standard i të provuarit se pasuria që kërkohet të sigurohet përkohësisht, në fakt, ka prejardhje të dyshimtë. Në rastin konkret nuk ka fare standard të të provuarit: mjafton që pronësia të rrezikohet nga tjetërsimi, asgjësimi, e të ngjashme. Zaten, çdo pasuri mund të rrezikohet të tjetërsohet nga pronari i cili është i lirë të disponojë me pasurinë e vet; prandaj, një standard i tillë, si i vetëm, është joadekuat që të vendoset masa e sigurisë (para paraqitjes së propozimit për konfiskim). Duhet edhe të dëshmohet, edhe në këtë fazë që ekziston shpërputhja e caktuar mes pasurisë dhe të ardhurave, e argumentuar me dokumentacion konkret, që ngrehë dyshime se pasuria mund të mos ketë prejardhje të ligjshme. Në të kundërtën, vendosja e masave të sigurimit të pasurisë pa një prag adekuat të të provuarit paraqet në veçanti ndërhyrje të pajustifikueshme në të drejtën e gëzimit paqësor të pronësisë së palës në procedurë” ka thënë Hasani.
Sipas Hasanit, standardi adekuat i të provuarit mungon edhe në fazën e konfiskimit përfundimtar.
“Kalimi i barrës së provës tek pala në procedurë nuk do duhej të ishte automatik, me fillimin e procedurës së konfiskimit. Barra e provës do duhej të kalonte tek pala tjetër vetëm pasi që të argumentohet nga Byroja, para gjykatës, se ekziston baza e nevojshme që sugjeron se pasuria e personit në fjalë është e pajustifikueshme. Jo çdo propozim për konfiskim duhet të cilësohet apriori i bazuar që të sjellë kalimin e barrës së provës tek pala në procedurë. Duhet që së pari Byroja të parashtrojë fillimisht një propozim i cili, në përshtypje të parë, duket të jetë i bazuar për gjykatën, e tek pastaj barra e provës të kalojë tek pala në procedurë dhe të vazhdohet me hapat tjerë proceduralë”, ka përfunduar Hasani.