Stikersa me bollëk në stok, MPB-ja favorizon një kompani që t’ia blejë edhe 600 mijë copë

Ministria e Punëve të Brendshme që udhëhiqet nga Xhelal Sveçla po e favorizon një kompani të caktuar që të bëjë furnizimin me letër ngjitëse-afishe.

Më 20 shtator, serbët në veri të Kosovës ngritën barrikada në rrugët që çojnë në vendkalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak. Ky ishte reagim ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për të futur masa reciproke me Serbinë për targat. Më pas institucionet e Kosovës filluan me aplikimin e vendimit për të mbuluar targat me letër ngjitëse-afishe cilat ishin të lëshuara nga Serbia.

Furnizimi me letër ngjitëse për mbulimin e targave po behët nga Ministria e Punëve të Brendshme. Që kur ka filluar aplikimi i kësaj masë, MPB kishte në depo rreth 300 mijë stikersa. Janë shpenzuar rreth 5000 sosh, shkruan lajmi.net.

Edhe  se në stok duket që ka afishe për deri në vitin e ardhshëm, të paktën sipas ecurisë së shpenzimit të tyre, MPB ka realizuar një kontratë të re.

“Furnizim emergjent me letër ngjitëse-afishe të plastifikuara për targat e aluminit”. Kështu quhet tenderi nënshkruar nga ministri Xhelal Sveçla, për të cilin nuk është lejuar që të ketë konkurrencë.

Procedura është udhëhequr me negocim pa publikimin e njoftimit për kontratë, ku është favorizuar kompania “Europrint Group” SH.P.K, në shumë të përgjithshme prej 250 800,00 eurove.

Furnizimi me letra ngjitëse/afishe për targa të automjeteve për nevojat e MPB-së, me këtë kontratë do të behët për 660.000 copë letra ngjitëse. Nga kjo del se 38 cent do të kushtojë një stikers.

 

 

Lajmi.net ka kërkuar një përgjigje nga MPB, lidhur më atë se deri më tani sa stikresa janë shpenzuar dhe se a ka mjaftueshëm për ditët në vijim. Në ministri kanë thënë se: “Për Policinë nuk i posedojmë statistikat. Në stok ka mjaftueshëm stikersa/afishe”.

MPB-ja ka dërguar edhe tabelën me të dhënat që tregon për shpenzimin e tyre:

Pas kësaj përgjigje lajmi.net ka pyetur në ministri se “cili është qëllimi i tenderit emergjentë, kur është deklaruar se në stok ka mjaftueshëm afishe”. Deri më tani MPB-ja nuk ka kthyer përgjigje.

Më 6 tetor 2021 nga MPB, kanë thënë për lajmi.net se “Sasia e letrave ngjitëse që kemi në dispozicion në depo është 290.000”.

Zyra e prokurimit të ministrisë ka shkelur Ligjin e Prokurimit Publik më këtë rast, kur e ka realizuar këtë tender me negocim, dhe jo me procedure konkurruese -të hapur.

Neni 35 i LPP-së, kapitulli për “Procedurat e negociuara pa publikimin e njoftimit të kontratës”, parasheh se kur autoriteti kontraktues mund të përdorë procedurat e negociuara pa publikimin e njoftimit të kontratës për të ushtruar aktivitetin e prokurimit vetëm pasi që të jetë në pajtim me këtë nen.

Sipas këtij neni, autoriteti kontraktues duhet që në njoftim të ofrojë një shpjegim të hollësishëm të fakteve të konsideruara dhe justifikimin për përdorimin e procedurës.

“Nëse, për aq sa është shumë e nevojshme për arsye të emergjencave ekstreme që janë shkaktuar nga ngjarje objektivisht të verifikueshme të cilat nuk kanë pasur mundësi të parashikohen me arsye nga autoriteti përkatës kontraktues, autoriteti i tillë kontraktues nuk mund ta japë kohën e kërkuar për ushtrimin e cilësdo procedurë tjetër që parashtrohet në këtë ligj. Me kusht që kjo dispozitë të mos mund të shfrytëzohet nëse rrethanat që e kanë krijuar situatën emergjente ekstreme mund t’u atribuohen veprimeve neglizhente ose të qëllimta ose lëshimeve të autoritetit kontraktues”, thuhet në një pjesë të këtij neni.

Ky kusht nuk është plotësuar, pasi MPB ka deklaruar se ka mjaftueshëm afishe, çka do të thotë se më kohë mund të planifikonte që tenderi të reagohet me procedurë të hapur.

Zbatimi zyrtar i Marrëveshjes për targat, e nënshkruar më 30 shtator në Bruksel, ka nisur më 2 tetor, ndërsa pika e dytë e marrëveshjes, e cila bën fjalë për letrat ngjitëse mbi simbolet e Kosovës dhe Serbisë në targa, ka nisur të hënën, më 4 tetor.

Kjo nënkupton që të gjitha automjetet me targa të qyteteve në Serbi dhe qyteteve në Kosovë, të lëshuara nga Ministria e Brendshme e Serbisë, të cilat Kosova i konsideron të paligjshme, do të ngjisin letra ngjitëse mbi targa, për të pasur mundësi të lëvizin në territorin e Kosovës.

E njëjta vlen për të gjitha automjetet me targa ‘RKS’ (Republika e Kosovës) për të pasur mundësi të lëvizin nëpër Serbi.