9 muaj pas ardhjes në pushtet, qeveria e Albin Kurtit e ka miratuar projektligjin për Qeverinë.
Ky projektligj pritet të rregullojë organizimin dhe funksionimin e Qeverisë së Kosovës, mënyrën e punës dhe procedurat e vendimmarrjes në Qeveri.
Numri i madh i ministrave dhe zëvendësministrave në të kaluarën ka qenë shpesh herë temë diskutimi për faktin se si kjo çështje nuk rregullohet me ligj.
Por, as projektligji për qeverinë i miratuar nga qeveria Kurti nuk parasheh përcaktimin e numrit të zëvendëskryeministrave, ministrave, zëvendësministrave dhe të këshilltarëve politik në kabinetin qeveritar, ndonëse në opozitë Kurti kishte thënë se synon sa më pak ministri.
“Nuk do të shkojmë përtej numrit të ministrive që i kemi pasur në pranverën e vitit 2020, atëherë i kemi pasur 15 ministri, do të synojmë më pak por jo më shumë. Nuk do të kemi më shumë se 2 zëvendësministra për ministri”, pati thënë ai.
Mirëpo sipas projektligjit, caktimi i numrit të ministrive do të bëhet ndaras përmes një rregullore të veçantë që mund të miratohet në qeveri.
“Numri i anëtarëve të Qeverisë dhe të emëruarve të tyre, si dhe fushat e përgjegjësisë administrative të ministrive përcaktohen me rregullore të propozuar nga Zyra e Kryeministrit dhe të miratuar nga Qeveria”, thuhet në projektligj.
Në bazë të Kushtetutës së Kosovës, ‘Ministritë dhe organet e tjera ekzekutive themelohen, sipas nevojës, për kryerjen e funksioneve brenda kompetencave të Qeverisë. Numri i anëtarëve të Qeverisë përcaktohet me aktin e brendshëm të saj’.
Në bazë të rregullores për fushat e përgjegjësisë administrative të zyrës së kryeministrit dhe ministrive, qeveria ka 15 ministri, por nuk është i përcaktuar numri se deri në sa ministra e zëvendësministra mund të ketë një qeveri.
Qeveria Kurti 2, nga 15 ministri, vetëm 5 udhëhiqen nga gratë. Po ashtu janë 2 zëvendëskryeministre, Donika Gërvalla dhe Emilia Rexhepi.
Përveç kësaj, projektligji për qeverinë pritet të përcaktoj edhe mënyrën sesi emërohen këshilltarët politik, si dhe këshilltarët e jashtëm politik, por pa treguar numrin e tyre.
“Këshilltari politik emërohet me vendim drejtpërdrejt nga Kryeministri, zëvendëskryeministri dhe ministri, (në tekstin e mëtejmë: eprori) dhe i pushon mandati me përfundimin e mandatit të eprorit të tyre, nëse kjo marrëdhënie e punës nuk ndërpritet më herët”, thuhet në projektligj.
Sipas projektligjit qeveria po ashtu mund të themelojë trupa qeveritare për të ndihmuar dhe lehtësuar punën e saj.
“Themelimi i trupave qeveritare, përveç në rastet kur kërkohet ose autorizohet me ligj, arsyetohet me plotësimin e kritereve të domosdoshmërisë, duke përfshirë në veçanti programin e Qeverisë dhe kompleksitetin e tij, efikasitetin ekonomik, efektivitetin, vlerën për para, parandalimin e tepricës dhe proporcionalitetin”, thuhet në projektligj.
Ndryshe, Qeveria e Ramush Haradinaj kishte hartuar një projektligj për Qeverinë, në të cilën përcaktohej paraprakisht numri i ministrive që do të ketë qeveria dhe numrin e zëvendësministrave e këshilltarëve politik në kabinetet qeveritare.
Neni 4 i projektligjit për qeverinë i përgatitur nga Qeveria Haradinaj në atë kohë, kishte paraparë përbërjen e qeverisë, duke filluar nga numri i ministrive, ministrave, zëvendësministrave si dhe përfshirjen e minoriteteve në përputhje më Kushtetutën, mirëpo nuk përmendej fare përfshirja e grave.
Sipas atij projektligji, qeveritë e Kosovës do të kishin maksimumi 17 ministri apo 15 ministri plus dy varësisht nga koalicioni.
Mirëpo iniciativa e asaj kohe ishte kthyer mbrapsht, pas interpretimit të Komisionit të Venedikut.
Komisioni i Venecias kishte rekomanduar që të shmanget përdorimi i numrit të limituar për ministritë duke theksuar se Qeveria duhet të ofroj arsye të argumentuara se përse duhet të rritet numri i ministrive.