Ndërtuesit në Kosovë do të detyrohen me ligj edhe për personat me aftësi të kufizuara

Ministri i MMPHI, Librun Aliu është takuar sot me përfaqësuesit dhe drejtorin e Handikos-it, Afrim Maliqi ku janë dakorduar për bashkëpunim për rregullimin e kuadrit ligjor që i detyron ndërtuesit të mundësojnë qasje sa më të lehtë në ndërtesa për të gjithë.

Gjatë takimit sipas ministrit Aliu, u diskutua edhe për veprimtarinë, objektivat dhe problemet e përbashkëta të personave me nevoja të veçanta, derisa ka theksuar meritën e përkrahjes më të madhe të këtij komuniteti.

Njoftimi i plotë:

Sot në MMPHI, pritëm në takim përfaqësuesit dhe drejtorin e Handikos-it, z. Afrim Maliqin, me të cilët u dakorduam që të punojmë bashkarisht për rregullimin e kuadrit ligjor që i detyron ndërtuesit të mundësojnë qasje sa më të lehtë në ndërtesa për të gjithë. Me këtë punë të përbashkët që po nisim do të kontribuojmë në rritjen e barazisë mes nesh dhe në përmirësimin direkt të cilësisë së jetës për bashkëqytetarët tanë me nevoja të veçanta.

Gjatë takimit diskutuam për veprimtarinë, objektivat dhe problemet e përbashkëta të personave me nevoja të veçanta. Ne prezantuam edhe objektivat tanë qeverisës dhe angazhimin tonë të përbashkët për sigurimin e një jetese të dinjitetshme për të gjithë, me theks të veçantë për problemet që ndërlidhen me qasje të barabartë në ndërtesa.

Ky komunitet meriton përkrahje më të madhe nga të gjithë, e ne si Qeveri do të organizojmë takime të rregullta, dhe do ta inkuadrojmë këtë komunitet në vendimmarrje për realizimin e këtyre objektivave.