Kanye West e ka falenderuar reperin Travis Scott, që ia ka dhënë adresën ku po mbahej festa e ditëlindjes së vajzës së tij Chicago.
Ylli 44-vjeçar i muzikës rep e ka bërë të ditur lajmin se falë mbëhtetjes që e ka gjetur tek Scotti dhe e dashura e tij, Kylie Jenner, ai pati mundësi të jetë i pranishëm në ditëlindjen e katërt të së bijës.
West i cili po ashtu i ka fëmijët North, Saint dhe Psalm, me yllin televiziv Kim Kardashian, në një video të postuar në Instagram tha: “Më duhet ta falënderoj mikun tim, Travis Scott, që ma dërgoi adresën dhe orën kur do të mbahej festa e ditëlindjes së vajzës sime Chicago dhe vajzës së tij Stormi, duke u siguruar kështu që të kisha mundësi ta kaloja këtë kujtim të bukur me fëmijët e mi. Isha aty me familjen dhe pata mundësi t’i takojë të gjithë. Kylie ishte ajo e cila ma mundësoi hyrjen brenda, sepse u sigurimi më ndaloi”.
Pak para se ta ndiqte ditëlindjen e së bijës, Kanye e postoi një video në rrjetet sociale përmes së cilës e akuzoi Kimin se po e pengon t’i takojë fëmijët e çiftit, dhe deklaroi se nëna e saj, Kris Jenner, po ashtu është e përfshirë në këtë situatë. Ndërsa në videon e postuar pas ditëlindjes, disponimi i reperit të famshëm duket se kishte ndryshuar krejtësisht, njësoj sikurse mendimi i tij rreth familjes Kardashian/Jenner. Ai e falenderoi publikisht Travis Scottin dhe Kylie Jennerin që ia mundësuan ta ndjekë ditëlindjen e Chicagos, duke deklaruar se është shumë i lumtur për këtë dhe përkrahjen që po e merr nga të gjithë.
Tutje ai tha se prioriteti numër një në jetën e tij, vazhdojnë të jenë katër fëmijët që i ka me 41-vjeçaren, Kim Kardashian. Çifti i famshëm i showbizit e bëri të ditur lajmin e shkurorëzimit në fillim të vitit 2021. Ata kishin lënë të nënkuptohet se po ndahen në mënyrë miqësore, por situatat e fundit të cilat reperi po i bënë publike na bëjnë të mendojmë se i gjithë procesi i shkurorëzimit nuk po shkon edhe aq mirë, siç Kanye dhe Kim janë munduar ta bindin publikun e gjerë.
Kohëve të fundit, dyshja e famshme ka qenë në qendër të vëmendjes për lidhjet e reja romantike. Kardashian duket se ka gjetur ngushëllim në krahët e komedianit, Pete Davidson, me të cilin së fundmi i kaloi edhe pushimet në Bahamas, kurse West është shfaqur në publik disa herë me të dashurën e tij të re, Julia Fox. Ai madje duket mjaft i investuar për ta shndërruar aktoren 31-vjeçare, në muzën e tij të ardhshme sa i përket stilit të modës.