Ish-drejtori i Zyrës për Informim në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Artan Behrami po vlerëson se që kur ka marrë timonin si ministre, Donika Gërvalla ka filluar një diferencim politik.
Madje sipas tij, të gjithë ata që kanë bartur barrën e përgjegjësisë së procesit të njohjeve të anëtarësimit të Kosovës në OKB janë shënjestër e degradimit të saj.
Ai ka thënë se ka vendosur të lë këtë ministri në mënyrë që t’i përfaqësojë interesat e Kosovës jashtë saj.
“Tash e një vit që prej kur ka marrë timonin e ministrisë së punëve të jashtme Donika Gërvalla ka filluar një diferencim politik ku të gjithë ata që kanë punuar në ministri që kanë bartur barrën e përgjegjësisë së procesit të njohjeve të anëtarësimit të Kosovës në OKB dhe përfaqësimit të interesave të Kosovës në botë janë shënjestër e degradimit të saj dhe kjo bëhet jo me kritere profesionale po me kritere partiake që për qëllim kanë diferencimin që ma kujton vitin 1989 që shqiptarët e kanë përjetuar kur kanë qenë të detyruar të nënshkruajnë kontratën të dalin nga puna”.
“Me këtë rast kam zgjedhur të dalë nga puna dhe interesat e Kosovës t’i përfaqësojë jashtë këtij institucioni. Prej që ka ardhur Donika Gërvalla në ministri asnjëherë nuk është marrë me politikë të jashtme por është marrë me politika partiake të cilat janë diskrimunese ndaj shërbyesve civil dhe ndaj diplomatëve të ministrisë. Qe një vjet Kosova nuk ka njohje ndërkombëtare. Nuk kemi investim që ka ndodhur falë kësaj ministreje. Kemi pasivitet total në një kohë kur beteja është Serbia dhe nuk janë diplomatët e Kosovës”.
Megjithatë, Behrami theksoi se Gërvalla nuk është duke u marrë me politikën e jashtme, por me politika partiake.
“Ajo në mënyrë indirekte është duke i ndihmuar diplomacisë së Serbisë e cila çdo ditë synon ta dëmtojë dhe ta dobësojë diplomacinë e Kosovës. Vite më parë kur kemi punuar në ministri kemi bërë fushata diplomatike ku pothuajse çdo muaj kemi pasur dy tri njohje. Tash ministrinë e kanë kthyer në një fabrikë ku nuk merren më politikë të jashtme por me ndarje politike”, tha Behrami.
Behrami shtoi se gjithçka që është ndërtuar në Kosovë, Qeveria Kurti dëshiron ta zhbëjë dhe ta ndërtojnë në mënyrë që atyre u konvenon.
“Menjëherë pas luftës edhe partitë që kanë dal nga lufta kanë hezituar të fillojnë një proces të lustrimit të bashkëpunëtorëve të ish-Jugosllavisë madje ata disi janë rehatuar në institucione të ndryshme. Pikërisht ata kanë gjetur rehatinë në qeverinë Kurti dhe kanë filluar me një proces të lustrimit ndaj brezit të UÇK-së, pavarësisë dhe ndaj brezit të lirisë. Zonja Gërvalla ka filluar një rishikim të historisë së Kosovës bashkë me zotërin Kurti. Gjithçka që është ndërtuar në Kosovë dëshirojnë ta zhbëjnë dh eta ndërtojnë në mënyrë që atyre u konvenon”, tha ai.
Ish-këshilltari i presidentit Hashim Thaçi, tha se krerët e UÇK-së janë duke u mbajtur padrejtësisht në Hagë, duke theksuar se tash e një vjet nuk ka asnjë reagim nga Qeveria për këtë çështje, duke amnistuar këtë padrejtësi që atyre po u bëhet.
“Ajo çka është duke ndodhur në Hagë është çështje tjetër diskriminuese që po bëhet ndaj krerëve të UÇK ku një gjykatë e paprecedentë në historinë e njerëzimit është duke krijuar rregulla paralele që nuk është duke lejuar të jetësohen të drejtat themeltare të drejtave të njeriut dhe të burgosurve atje. Mos reagimi i Qeverisë disi ka amnistuar këtë padrejtësi. Tash e një vjet nuk kemi parë veprim të kësaj qeverie sa i përket krerëve të UÇK-së”.
Mes tjerash, Behrami tha se institucionet duhet të fokusohen në mbrojtjen e Policisë së Kosovës dhe pjesëtarët e UÇK-së në Hagë, raporton EO.
“Por tani mendoj që institucionet duhet të fokusohen në çështjen e Policisë ku Gjykata Speciale në mënyrë të pamëshirshme ka sulmuar policinë dhe është përgjegjësi e institucioneve ta mbrojnë Policinë e Kosovës dhe është në interes nacional të mbrojnë krerët e UÇK-së meqë atje nuk janë duke ata, por narracioni i luftës së pastër të UÇK-së duke u gjykuar lufta e Kosovës dhe përmes kësaj gjykate po tentohet të ndërrohet narracioni ku shqiptarët të duken si agresore derisa serbët si viktima dhe këtë nuk duhet ta lejojmë”.