Shtetet e QUINT-it: Franca, Gjermania, Italia dhe Mbretëria e Bashkuar, bashkë me SHBA-në dhe BE-në, i kanë kërkuar Qeverisë së Kosovës që t’i lejojë serbët në Kosovë të ushtrojnë të drejtën e votës.
Ata kanë thënë se me keqardhje kanë vërejtur se Qeveria nuk ka lejuar OSBE-në të mbledhë fletëvotime, raporton “Zëri”.
Më poshtë po transmetojmë të plotë letrën e tyre:
Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian mirëpresin referendumin kombëtar të Serbisë të 16 janarit për ndryshimet kushtetuese, si një hap kyç për të forcuar pavarësinë e gjyqësorit dhe për të rritur transparencën dhe efektivitetin e institucioneve te shtetit të sundimit te ligjit. Ne besojmë se këto reforma janë një hap përpara drejt përafrimit të Serbisë me standardet evropiane dhe do të mbështesin procesin e anëtarësimit të Serbisë në BE.
Ne kemi inkurajuar të gjithë qytetarët e Serbisë që të marrin pjesë në referendum dhe besojmë se është e rëndësishme që votuesit me të drejtë vote të mundë të votojnë në zgjedhje dhe referendume. Vërejmë me keqardhje se Qeveria e Kosovës nuk ka lejuar Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) të mbledhë fletëvotimet e votuesve me të drejtë vote që jetojnë në Kosovë për referendumin e ardhshëm, në përputhje me praktikën e kaluar. Ne i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që të lejojë serbët në Kosovë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në zgjedhje dhe procese zgjedhore në përputhje me këtë praktikë të vendosur.
I bëjmë thirrje qeverive, të Kosovës dhe të Serbisë, që të përmbahen nga veprimet dhe retorikët që rrisin tensionet dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Është e rëndësishme që të dyja qeveritë të arrijnë progres drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, që hap perspektivën e BE-së dhe rrit stabilitetin rajonal.