Presidenti Agim Ademi gjatë ditës së sotme ka qëndruar për vizitë në regjionin e Pejës. Ai, së bashku me nënkryetarin Bakir Burri dhe kryetarin e LRF të Pejës, Avdi Gashi, fillimisht e kanë vizituar parcelën të cilën e ka ndarë komuna për ndërtimin e fushës së futbollit, derisa më pas është takuar me kryetarin e kësaj komune, Gazmend Muhaxheri. Gjatë këtij takimi u diskutua për investimet në infrastrukturën sportive në këtë komunë, me theks të veçantë rreth synimit të FFK-së për ndërtimin e një fushe futbolli në çdo regjion. Presidenti Ademi e përgëzoi të parin e Pejës për mandatin e ri dhe e falënderoi për gatishmërinë e vazhdueshme për bashkëpunim të ngushtë me FFK-në, me qëllim të përmirësimit të infrastrukturës në këtë komunë. Ai theksoi se ndërtimi i një fushe të re futbolli në Pejë është domosdoshmëri, duke pasur parasysh edhe faktin se stadiumi i qytetit ende është në rindërtim. Në anën tjetër, kryetari i Pejës u shpreh mirënjohës ndaj kreut të FFK-së për interesimin dhe vizionin e tij me qëllim të krijimit të kushteve sa më të mira për futbollistët e rinj në çdo komunë. Të dy palët u pajtuan për ta nënshkruar memorandumin e bashkëpunimit, nëpërmjet të cilit do të realizohen projektet e përbashkëta, siç është edhe ndërtimi i fushës së re me objektet përcjellëse, e cila do t’ia lehtësonte dukshëm punën si LRF të Pejës, ashtu edhe klubeve të këtij regjioni. Ademi dhe Muhaxheri shprehën shpresën se edhe ministria e sportit së shpejti do të përkujdeset për rritjen e volumit të punëve në këtë stadiumin e qytetit, në mënyrë që futbollistët të kenë kushte sa më të volitshme për aktivitetin e tyre.